Sot në Kukës përkujtohet 24 vjetori i fillimit të eksodit të Kosovës I cili detyroi rreth një milion shqiptarë të zhvendoseshin në Shqipëri dhe Maqedoni për të shpëtuar nga ofensiva serbe dhe tmerret e luftës. 24 vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, është përkujtur me një sërë aktivitetesh në qytetin e Kukësit. 16 Prilli është cilësuar si dita e “Bujarisë kuksiane”, pasi banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës, hapën dyert dhe pritën mijëra kosovarë të larguar dhunshëm prej ushtarëve serbë, nga trojet e tyre. Kjo ditë përkujtohet edhe në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë hapën dyert. Kukësi ishte qyteti i parë që priti shqiptarët e Kosovës dhe sot si çdo vit kjo ditë kujtohet me aktivitete e ceremonisë “Eksod 99”. 16 prilli është një ditë kur shqiptarët bëhen bashkë por këtë herë në paqe për të kujtuar ditët e vështira. Në Kukës është përkujtuar “Dita e bujarisë kuksiane”, datë e shënuar për Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Si sot 24 vjet më parë banorët e zonës hapën dyert miqësisht për kosovarët e larguar nga dhuna dhe terrori i forcave serbe. Qarku i Kukësit, në periudhën e luftës së Kosovës në vitin 1999, në 79 ditët e bombardimit, mbajti mesatarisht mbi 140 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre.16 prilli në Kukës njihet ndryshe si “Dita e Eksodit”, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova. Një nga simbolet kryesore të kësaj dite është edhe Obelisku. Kjo kullë, u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku u vendosën çadrat që strehonin popullatën kosovare. Ndërkohë, sot në 24 vjetorin e Eksodit, shqiptarët e Kosovës nisën marshimin nga qyteti i Mitrovicës deri në Kullën e Mikpritjes në Kukës.