Numri i ndërmarrjeve aktive (përjashtuar fermerët) arriti në 125.222 vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 5,6% krahasuar me vitin 2021, por nga ana tjetër 46 ndërmarrje të huaja mbyllën aktivitetin të njëjtin vit, raportoi sot INSTAT.
Vitin e kaluar, numri i bizneseve të huaja dhe me kapital të përbashkët ishte 6589 ose 46 më pak se më 2021, me një rënie 0.7%.
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 5,3% të ndërmarrjeve gjithsej, krahasuar me 5,6% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2021, dhe punësojnë 12,5% të të punësuarve gjithsej.
Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Europian përfaqësojnë 62,7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 48,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej.
Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 70,7% dhe 11,5%.
Sipas INSTAT, 209.591 është numri i njësive ligjore aktive në fund të vitit 2022, nga 181.549 në vitin 2021, ku 84.369 janë fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm NIPT krahasuar me 62,922 fermerë të regjistruar deri në fund të vitit 2021.
Gjatë vitit të kaluar, 37.491 njësi ligjore aktive janë regjistruar, krahasuar me 29,152 gjatë 2021.
Gjatë vitit të kaluar ishin 125.222 ndërmarrje ekonomike aktive (përjashtuar fermerët). Në fund të vitit 2021 numërohen 118,627 ndërmarrje aktive.
Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2022 është 84.369 duke shënuar një rritje me 34,1% krahasuar me fermerët në fund të vitit 2021. Fermerët e regjistruar në bashkinë Lushnje zënë 11,1% të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT. 54,6% e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse dhe në kultivimin e perimeve dhe 10,8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra.
Në ndërmarrjet aktive (përjashtuar fermerët), 86,5% e ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve, nga 86,6% që ishin respektivisht në vitin 2021. Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,6% ndaj totalit të ndërmarrjeve.
Kontributi i tyre në punësim llogaritet në 50,6% në vitin 2022, nga 51,1% në vitin 2021. Mbi 5% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta.
Xhiro vjetore e realizuar nga ndërmarrjet për vitin 2022 është 4.488 miliardë lekë. Numri i të punësuarve gjithsej nga ndërmarrjet aktive në fund të vitit 2022 është 730.450, nga të cilët 343.233 janë të punësuara gra. Në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Vlorë janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët.
Në grupin “Prodhues të të mirave”, sektori i industrisë ka ndikimin më të madh në ekonominë e vendit. Kontributi i industrisë duket qartë përkatësisht në numrin ndërmarrjeve aktive gjithsej me 7,4%; numrin e të punësuare gjithsej me 18,7%; numrin e të punësuarve me pagë me 20,6% xhiron vjetore të realizuar me 22,6%.
Në grupin “Prodhues të shërbimeve” operojnë 86,5% e ndërmarrjeve aktive duke realizuar 67,8% të xhiros vjetore. Në këtë grup ndërmarrjesh, rolin kryesor e luan tregtia (kryesisht tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve). Të punësuarit gjithsej në tregti zënë 19,1% të numrit të të punësuarve gjithsej.
Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26,5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022.
Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35,8%. Rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 22,0% në punësim dhe 25,2% në realizimin e xhiros vjetore.
Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,6% të totalit të ndërmarrje, punësojnë 50,6% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 41,3% të totalit vjetor të xhiros.
Në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 64,8% e ndërmarrjeve. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 58.828 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.342 ndërmarrje. Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet. Në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 57,8% e grupit të prodhuesve të shërbimeve
Ndërmarrjet sipas rajoneve statistikore, NUTS 2 Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 53,1% e ndërmarrjeve.
Të punësuarit në këtë rajon zënë 64,0% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet e regjistruara gjatë këtij viti janë përqëndruar gjithashtu në rajonin qendër përkatësisht me 60,5%.
Njësitë lokale Në fund të vitit 2022 regjistrohen 134.769 njësi lokale nga të cilat 123.536 prej tyre ushtrojnë aktivitetin ekonomik në një vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë gjithsej 1.686 ndërmarrje të cilat përfaqësojnë vetëm 1,3% të ndërmarrjeve gjithsej dhe numri i të punësuarve në to është 24,5% e numrit të të punësuarve gjithsej.
Njësitë lokale janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë, Durrës me 55,5% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.
Gratë menaxhojnë/zotërojnë 31,2% të ndërmarrjeve gjithsej. Aktivitetet “Tregti” dhe “Shërbime të tjera” shënon pjesëmarrjen më të lartë të grave në vendimmarrje, respektivisht me 34,2% dhe 40,2%. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar.
Gratë zënë 47,0% të të punësuarve gjithsej dhe sektori me përfaqësimin më të ulët të tyre është sektori i ndërtimit me 17,0%Monitor