Aktualitet

6-mujori 2023, fitimi i tregut të sigurimeve arriti 11.2 milionë euro

Kompanitë e sigurimeve i zgjeruan më tej fitimet në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti fitimi progresiv neto i tregut të sigurimeve arriti në 1.19 miliardë lekë ose rreth 11.2 milionë euro, nga 667 milionë lekë që kishte qenë në fund të tremujorit të parë.

Fitimi i tregut të sigurimeve po rritet për të dytin vit radhazi, me 32.8% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Rritja e fitimeve në vlerë ka përmirësuar paralelisht edhe treguesit e rentabilitetit. Sipas AMF, raporti i normës së fitimit të kapitalit u rrit në 8.14%, nga 6.74% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa raporti i normës së fitimit të aseteve u rrit në 2.61%, nga 2.09% që kishte qenë për 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Performanca financiare paraqitet paralelisht pozitive, si në tregun e sigurimit të Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës.

Në tregun e sigurimit të Jetës, fitimi total i kompanive arriti vlerën e 190 milionë lekëve, në rritje me 121% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e fitimit në tregun e sigurimit të Jetës ka ardhur paralelisht nga rritja e primit të fituar neto, por edhe nga ulja e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Primet e fituara neto u rritën me 31%, kryesisht falë rritjes së volumit të tregut dhe primeve të shkruara bruto. Ndërkohë, dëmet e paguara neto pësuan një rënie të ndjeshme me 36% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Kompanitë e sigurimit të Jetës vazhdojnë të kenë një strukturë të shpenzimeve ku shpenzimet operative janë disa herë më të larta se shpenzimet për dëme të paguara. Totali i shpenzimeve operative ishte pesë herë e gjysmë më i lartë se vlera neto e dëmeve të paguara, ndërsa vetëm shpenzimet e marrjes në sigurim ishin më shumë se tre herë më të larta se dëmet e paguara neto.

Rezultat financiar në rritje shënoi edhe segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës. Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive të këtij tregu u rrit në 997 milionë lekë, 23% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe në këtë segment, primet e fituara neto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 10% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, zërat kryesore të shpenzimeve në përgjithësi janë rritur në përmasa më të vogla se rritja e primeve të fituara neto. Dëmet neto të paguara janë rritur me 3.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shpenzimet e marrjes në sigurim janë rritur me 4.2%. Kjo ka bërë që rezultati teknik (rezultati nga aktiviteti sigurues) në total të rritet me 35% me bazë vjetore.

Pavarësisht një mjedisi të karakterizuar nga inflacioni i lartë, norma interesi më të larta dhe rritje ekonomike e ngadalësuar, tregu i sigurimeve në dy vitet e fundit po regjistron fitime në rritje./Monitor

Burimi: AMF

Exit mobile version