Aktualitet

61% e kredive përdoren për blerje banesash

Në kushtet kur çmimet e apartamenteve në Shqipëri kanë “kapur majat”, blerja e një banese nëpërmjet kursimeve personale është bërë thuajse e pamundur.

Për këtë arsye, për shumë çifte të reja apo persona të tjerë që heqin dorë nga të jetuarit në shtëpi me qira, zgjidhja e vetme mbetet marrja e një kredie.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ka arritur në 132 milionë lekë huaja për blerje banesash nga individët në muajin gusht, një rritje me 1.4% krahasuar me korrikun.

Konkretisht, kredia për blerjen e një apartamenti zë gati 61% të totalit të huasë në lekë të marrë nga individët. Që prej vitit të kaluar, kredia për këtë qëllim ka pasur një rritje të qëndrueshme.

Pjesa tjetër e huave janë përdorur nga qytetarët për overdraft ose për blerjen e mallrave të qëndrueshëm dhe jo të qëndrueshëm. Huaja e marrë me qëllim blerjen e ushqimeve, veshmbathjeve, produkteve kozmetike dhe të pastrimit, cigareve apo naftës, vjen e dyta në listë me një total prej 45 milionë lekësh ose rreth 21% të shumës së përgjithshme të kredisë.

Ndërkohë, kredia e përdorur për blerje makine, elektroshtëpiakesh, mobilje dhe pajisje të tjera elektronike zë 10% të totalit, me një vlerë prej 22 milionë lekësh. Nga ana tjetër, vetëm 3.6% e kredive të dhëna në muajin gusht janë përdorur për kryerjen e pagesave të overdraftit.

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë flasin për një rënie të lehtë prej 2.8% të kredive për konsum, ndërsa ato për blerjen e makinerive dhe pajisjeve të tjera kanë pësuar rritje.

Në të gjitha monedhat, totali i huave të marra nga individët dhe institucionet jo me qëllim fitimi që u shërbejnë individëve është regjistruar në 296 milionë.

Exit mobile version