Nga Dorinela NDREJAJ
Urgjenca mjekësore e ditëve të fundit e aktorit Genci Fuga, më bëri të reflektoja sërish mbi një pyetje që bluaja në kokë prej kohësh: A është sigurimi privat i shëndetit një shpenzim luksi për ne apo një domosdoshmëri në ditët e sotshme?
Sistemi i sigurimeve shëndetësore ka për qëllim mbrojtjen e popullatës nga fenomenet e përkeqësimit të shëndetit, me anë të krijimit të fondeve financiare dhe duke u bazuar në parimin e solidaritetit për të ofruar shërbim shëndetësor për të gjithë popullatën. E drejta për sigurime të këtij karakteri bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut dhe buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 52 i saj.
Sipas OBSH (ku bën pjesë edhe Shqipëria), një vend anëtar i kësaj organizate duhet të sigurojë një sistem shëndetësor i cili të mundësohet nga parapagimi i kontributeve financiare për shëndetësinë, me synimin që të ndahet rreziku ndërmjet popullatës dhe të shmangen shpenzimet katastrofike për kujdesin shëndetësor të qytetarëve të cilat rrezikojnë varfërimin e individëve për shkak të këtij kujdesi.
Në vendet e zhvilluara, shërbimi shëndetësor publik e përmbush këtë kusht të parashtruar nga OBSH, dhe nevoja për t’iu drejtuar shërbimit shëndetësor privat ekziston vetëm në rastet kur qytetari kërkon kohë më të shkurtër pritjeje për të marrë shërbimin apo për t’u akomoduar në dhoma private. Sigurisht që nuk është e nevojshme t’i drejtohesh strukturave private për të kryer ekzaminime të veçanta në kohën e duhur dhe veçanërisht kur qytetari është në gjendje kritike për jetën. Gjithnjë i jepet përparësi dhënies së shërbimit jo vetëm për të shpëtuar jetën pa pasoja për të ardhmen e shëndetit të tij, por edhe pa cënuar gjendjen e tij financiare.
Ne jemi çdo ditë dëshmitarë se sa larg këtij përkufizimi janë spitalet dhe qendrat shëndetësore publike në vendin tonë, megjithëse sistemi shëndetësor publik duhet të garantojë shërbime për qytetarët jo vetëm në fushën e kurimit të sëmundjeve, por edhe parandalimit, diagnostikimit, vaksinimit, urgjencës, etj. Në spitalet tona publike mungojnë kushtet për të ofruar një shërbim shëndetësor gjithëpërfshirës në këndvështrimin e shërbimeve. Në shumë raste ka mungesë të theksuar jo vetëm të paisjeve moderne ekzaminuese mjekësore, por edhe të reagentëve të ndryshëm. Në shumë raste, qytetarët janë të detyruar t’i drejtohen klinikave private për shkak se nuk mund të kryejnë në institucionet mjekësore publike të gjitha analizat klinike, biokimike, hormonale, imunologjike, bakteriologjike dhe tumorale. Në zona të thella rurale ky shërbim është akoma më pak i akesueshëm për shkak të mungesave në personelin mjekësor por edhe të pajisjeve të domosdoshme për ofrimin e këtij shërbimi.
Eksperienca disa vjeçare në industrinë e sigurimeve dhe specifikisht në sigurimin e shëndetit, më ka bërë të kuptoj se primet e sigurimit që paguhen nga korporatat dhe individët për sigurimin privat të shëndetit, janë disa herë më të ulëta se kontributet e detyruara që këta qytetarë derdhin për sistemin shëndetësor publik. Sigurimi i shëndetit privat ofron shërbime në spitale private brenda dhe jashtë vendit dhe kostot e këtyre shërbimeve janë disa herë më të larta se ato në shërbimin publik. Shërbimi i ofruar nga kompanitë private të sigurimeve, është disa herë më cilësor se ai publik, duke qënë se kanë në fokus të tyre klientin dhe shëndetin e tij.
Lajmi i fundit në lidhje me gjendjen shëndetësore të aktorit Genci Fuga, i cili duhet të ketë kontribuar në sistemin shëndetësor kombëtar për të paktën njëzet vite, më shkaktoi pështjellim për disa arsye. Më lëndoi fakti që sistemi ynë shëndetësor edhe pas kaq shumë vitesh nuk është në gjendje t’i ofrojë një shërbim të tillë (i cili në vendet e tjera është një ndërhyrje rutinë), pavarësisht investimeve të herëpashershme që bëhen në këtë fushë në vendin tonë. Fakti që familja e tij nuk kishte mënjanë kursime për të përballuar këtë situatë emergjence dhe nuk kishte menduar asnjë zgjidhje duke njohur realitetin e vendit tonë, më befason dhe më lëndon njëkohësisht. Instrumentat për t’i bërë ballë këtyre të papriturave ekzistojnë, por për mungesë informimi, kapacitetesh financiare, apo arsye të tjera shumë pak qytetarë zgjedhin t’u drejtohen kompanive të sigurimit.
Një paketë sigurimi shëndeti e thjeshtë për një person, varion nga 250 – 600 Euro në vit, në varësi të mbulimeve të përzgjedhura si dhe grupmosha të cilës i përket personi. Në çdo rast, sigurimi privat i shëndetit mbulon ndërhyrje për sëmundje që ndodhin papritmas gjatë periudhës së sigurimit, në çdo spital privat apo shtetëror në Shqipëri dhe me raste sipas skemës së zgjedhur, edhe jashtë Shqipërisë. Në pamje të parë, një shumë e tillë mund të duket shumë për një familje, nëse nuk merret në konsideratë mbrojtja financiare që të jep një kontratë e tillë sigurimi. Kur një qytetar gjendet përpara faktit që duhet të bëjë ndërhyrje të menjëhershme, gjëja e fundit që i duhet, është të shqetësohet edhe për aspektin financiar. Nëse rreziku transferohet te kompania private e sigurimit, balancat financiare të familjes nuk cënohen dhe nuk janë të detyruar të kërkojnë hua apo të prekin kursimet e tyre për të përballuar shpenzime të tilla. Kjo e bën më të lehtë edhe rekuperimin e qytetarit dhe kthimin e shëndetit të tij sa më shpejt në normalitet.
Një pjesë e mirë e qytetarëve, kanë zgjedhur që të mos mjaftohen me shërbimin shëndetësor publik dhe i janë drejtuar kompanive private të sigurimeve. Sigurisht që kjo sjell mbivendosje të pagesave për këta qytetarë, në kërkim të mbulimit shëndetësor. Ata paguajnë kontributet e sigurimeve shëndetësore për një shërbim që mund të mos e marrin kurrë si dhe pagesa për sigurimin privat të shëndetit për shërbime mjekësore në spitale private, në vend dhe jashtë tij.
Duke hasur shumë problematika në shërbimin shëndetësor publik, duket që një zgjidhje e mundshme është liberalizimi i skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, praktikë kjo e ndjekur nga disa vende të tjera evropiane. Kjo do të ndihmojë kryesisht që qytetarët të marrin një shërbim më cilësor si dhe një gamë më të gjerë shërbimesh. Për shkak të këtij zhvillimi dhe rritjes së konkurrencës,, spitalet private do të investojnë akoma më shumë që të mundësojnë kryerjen e ekzaminimeve në vend me aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu kjo do të sillte edhe rritje të standardeve dhe pagesave të personelit mjekësor, duke frenuar hemorragjinë e nisur tashmë prej vitesh, ku mjekë e infermierë detyrohen të lënë vendin për punë të mirëpaguara.
Sigurisht që kjo do të ndikojë edhe në zhvillimin e tregut të sigurimeve të shëndetit, duke e çuar në nivelet e vendeve të tjera dhe kjo do të shërbejë vetëm pozitivisht ndaj qytetarëve, pasi duke pasur më shumë persona të siguruar, edhe kompanitë e sigurimit do të jenë në gjendje të ofrojnë prime sigurimi të përballueshme, të zgjerojnë gamën e shërbimeve si dhe territorin e mbulimit, si edhe të investojnë më shumë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Gjithashtu, skemat e sigurimeve do të jenë më të personalizuara, në bazë të kontributeve të gjithësecilit dhe një pjesë e kontribuesve mund të zgjedhë të ketë mbulim më të lartë dhe me territor mbulimi më të gjerë. Kjo do të çojë në uljen e kostove të administrimit për qeverinë dhe në rritjen e nivelit të përfitueshmërisë nga kjo skemë, jo vetëm për qytetarët por edhe për vetë punonjësit e sistemit shëndetësor.