Tirana International Airport mirëpriti sot pasagjerin e 7 miliontë për vitin 2023, duke shënuar shifrën më të lart historike që ky aeroport ka patur brenda një viti. Ky është një sukses që i shtohet arritjeve të vazhdueshme të aeroportit, duke nënvizuar edhe rolin e tij në sektorin e aviocionit në Shqipëri. Pasagjeri i 7-miliontë udhëtoi nga Tirana në Pragë, me linjën ajrore Wizz Air, duke shënuar një moment të rëndësishëm në suksesin e vazhdueshëm të aeroportit.
Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve pasqyron suksesin e nismave strategjike të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës që synojnë rritjen e fluturimeve lidhëse dhe aksesit.
“Jemi krenarë për dyfishimin e pasagjerëve në TIA, në krahasim me vitin 2019 dhe me rritjen prej 35% në krahasim me vitin e kaluar. Kjo falë të gjitha linjave ajrore, por sigurisht, falë edhe shtimit të linjave low cost. Pasagjeri i 7 miliontë ndodhet në këtë fluturim të Wizz Air, për në Pragë”, deklaroi z. Piervittorio Farabbi, Drejtori Operativ i Tirana International Airport.
Duke vazhduar rolin e tij si një portë jetike që lidh Shqipërinë me destinacionet kryesore globale, Tirana International Airport mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për të ofruar shërbime më të mira, për të nxitur turizmin dhe për të kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e përgjithshëm të rajonit.