Qeveria pritet që të rikthejë amnistinë për shtëpitë dhe pronat. Përmes një projektligji të depozituar në Kuvend nga deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti propozohet, që të nis një tjetër fazë rivlerësimi për pasuritë e paluajtshme përkundrejt një detyrimi tatimor 3 për qind nga 15 për qind që është aktualisht.
Nga nisma do të përfitojnë edhe objektet, që janë me kontratë shitjeje. Nga studio e emisionit “Box to Box” ekspertët rendisin përfitimet për qytetarët dhe bizneset. Armelida Shtiza, eksperte e tregut të pasurive të paluajtshme thotë se përmes kësaj nisme do të shmanget informaliteti, në të njejtën kohë do të nxiten edhe transaksionet.
Në korrik të vitit që shkoi, u miratuan edhe çmimet e reja të referencës për kryeqytetin duke njohur një rritje që shkoi deri në 76 për qind për zona të caktuara.
Përditësimi i vlerës së banesës apo i trojeve apo rivlerësimi me 3 për qind konsiderohet një mundësi e mirë për qytetarët pasi në momentin e shitjes, tarifa që duhet të paguajnë në shtet është disa herë më e ulët. Gladiola Kuka, kontabiliste përmes një shembulli tregon edhe përfitimin direkt që do të kenë qytetarët nga ky proces.
Ndër vite janë miratuar 4 amnisti, përkatësisht në 2011, 2013, 2016 dhe 2020. Në projektligjin e depozituar në Kuvend, risi veç faktit që nga rivlerësimi do të kenë mundësi të përfitojnë edhe qytetarët që kanë një pasuri që është në proces legalizimi, është edhe unifikimi i normës tatimore.
Kjo do të thotë që, nëse nisma miratohet, detyrimi tatimor 3 për qind do të jetë i njejtë si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Por të fituar nuk janë vetëm ata, por edhe buxheti i shtetit. Në sajë të procesit të rivlerësimit, që u aplikua dy vite më parë u arkëtuan mbi 12 miliardë lekë ose rreth 110 milionë dollarë.