Kalendari i aplikimit universitar tashmë iu është bërë i ditur të gjithë kandidatëve që duan të vazhdojnë studimet e larta dhe do të kenë 6 ditë kohë për të përzgjedhur programet e studimit.
Për maturanten ekselente Erjona Dobra kjo është një fazë teknike, pasi idetë janë qartësuar shumë më herët.
“Vendimet janë marrë, nuk është lënë për në fund dhe po shkojnë sipas planit. Që në vitin e dytë ne profilizohemi e më vonë përcaktojmë provimet me zgjedhje.”Erjona Dobra , maturante shkolla Petro Nini Luarasi
Erjona është e vetmja nxënëse në shkollën “Petro Nini Luarasi”, që u vlerësua me notën 10 absolute në provimin e maturës për lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Por për studimet Bachelor, ajo ka zgjedhur gjuhën e kodeve dhe sistemeve.
“Unë kam zgjedhur inxhinierinë kompjuterike. Ka treg pune, ka kërkesë por kam bërë edhe nje kurs në informatikë të avancuar këto dy vitet e fundit dhe kam zbuluar se është punë e bukur dhe me përshtatet.”
Këtë vit, regjistrimi në universitete është reduktuar në 2 raunde, ndërsa do të ketë edhe një fazë të tretë, ku mund të aplikohet fizikisht në degët ku kanë mbetur kuota të lira.
Erjona ka një mesazh për të rinjtë ëndërrimtarë, të qëndrojnë me këmbë në tokë.
“Të ndjekin ëndrrat e tyre por të kenë edhe arsyen të përzier bashkë me ëndrrat, të pyesin veten pse e duan. Jo të shkojnë pas diçkaje vetëm se kanë dëgjuar që ka përfitime.”…
Nga data 29 korrik deri më 3 gusht, maturantët do të mund të aplikojnë online për t’u regjistruar në njërin nga 10 programet e preferuara të studimit.