Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUM) i është rekomanduar që të rishikojë pozicionet e punës me kontratë afatshkurtër duke u investuar më shumë në ato të qëndrueshme në mënyrë që edhe shërbimi të jetë më cilësor.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nënvizon se numri i mjekëve dhe stafit tjetër në këtë qendër ka qenë në ndryshim nga viti në vit sipas nevojës por 57 për qind e këtij stafi është me kontratë afatshkurtër.
“Punonjësit e përhershëm i përkasin strukturës së QKUM pra 86 punonjës (punonjësit e përkohshëm janë kërkuar për shtesë 49 punonjës (personel mjekësor për shkak të pandemisë mjekë, infermierë, dhe shoferë), Parashikimi i shpenzimeve për paga, ka ndryshim të fondit të pagave në PBA e viteve 2021-2023 dhe 2022-2024, është më i lartë për arsye të kërkesës për shtim personeli me kontratë të përkohshme si dhe zbatimit të vendimit nr. 207, datë 10.03.2020 “Për dhënie shpërblimi për personelin, mjekë, infermierë dhe Punonjës të tjerë”.
Megjithëse kërkesa buxhetore për vitin 2021 është për 86 punonjës, MSHMS ka miratuar 88 punonjës” thuhet në auditim.
Sipas këtij të fundit Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për përballimin e fluksit të urgjencave mjekësore si edhe dinamikës në rritje (për shkak të tërmetit, pandemisë) në vitet 2020-2021-2022, ka parashikuar rritje të burimeve njerëzore, numrit të punonjësve të QKUM-së i janë shtuar 10 mjekë, 20 infermierë dhe 15 shoferë.
“Pra, konstatohen ndryshime të shpeshta të stafit mjekësor të cilat sjellin mangësi në kryerjen e detyrës dhe investimi që kryhet nga QKUM për përgatitjen profesionale të kësaj kategorie punonjësish, nuk është i qëndrueshëm dhe ndikon në shërbimin cilësor ndaj qytetarëve” nënvizon raporti.
Në këto kushte KLSH ka rekomanduar që QKUM, të adresojë pranë Ministrisë kërkesën për rishikim të menjëhershëm të strukturës organizative të institucionit, shoqëruar me relacionin përkatës argumentues mbi domosdoshmërinë e limitimit të pozicioneve të punës me kontratë afatshkurtër (aktualisht 57% e stafit) në një institucion me rëndësi jetike për qytetarët dhe pa natyrë pune me karakter sezonal, me qëllim që investimi i kryer për përgatitjen profesionale të kësaj kategorie punonjësish, të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë për shërbim profesional dhe cilësor ndaj qytetarëve. Monitor