Aktualitet

Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon AKEP të vendosë në rregullim tregun me pakicë të telefonisë celulare

Autoriteti i Konkurrencës (AK) i rekomandoi sot Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vendosjen në rregullim të tregut me pakicë të telefonisë celulare në vend.

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se, në kushtet e ndryshimeve strukturore të ndodhura në tregun e telefonisë celulare, AKEP duhet të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu.

Sipas njoftimit zyrtar të AK, rekomandimet ishin pjesën e vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr.1048, datë 16.01.2023 “Për dhënien e disa rekomandime Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në tregun e shërbimeve celulare lidhur me dokumentin nxjerrjen për këshillim publik të dokumentit “Analizë e tregjeve me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme (celulare)”.

Që prej fillimit të vitit të kaluar, tregu i telefonisë celulare në vend ka vetëm dy operatorë, pas bashkimit me përthithje mes operatorëve One Telecommunications dhe Albtelecom, që erdhi si rezultat i blerjes së dy kompanive nga grupi hungarez 4iG.

Në analizën e tregut të telefonisë celulare të hedhur për konsultim publik në nëntor 2023, AKEP shprehet se aktualisht tregu i rrjeteve dhe shërbimeve celulare në Shqipëri zotërohet nga dy operatorë dhe kjo situatë shtron rreziqe për rritjen e çmimeve për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit.

AKEP gjykon se një treg me numër të kufizuar lojtarësh mund të mbetet konkurrues, vetëm nëse roli rregullator i fushës AKEP përforcohet në aspektin e ndryshimeve ligjore për ndërhyrjet ex-ante (paraprake), pasi një situate e tillë, veçanërisht situata duopol në tregun celular, krijon rreziqe të reja për prezencën e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet ndërmarrjeve në treg në dëm të konurrencës.

Sipas AKEP, sjelljet bashkërenduese mund të shfaqen kryesisht nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që impaktojnë drejtpërdrejtë shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, shërbime të cilat janë jashtë sferës së rregullimit dhe fokusit të ndërhyrjeve ex-ante të rregullatorit të fushës.

Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar, ndikohet edhe nga faza e maturimit të tregut celular, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore të cilën aktualisht e zotërojnë dy rrjetet.

Në thelb, AKEP duket se ndan të njëjtin mendim me Autoritetin e Konkurrencës, por lë të kuptohet se kuadri ligjor aktual nuk i mundëson instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në tregun me pakicë të komunikimeve celulare.

Qeveria shqiptare hodhi për konsultim ligjin e ri “Për komunikimet elektronike” vitin e kaluar, por ky ligj ende nuk i është paraqitur për miratim Kuvendit të Shqipërisë.

Në vitin 2006, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (sot AKEP) vendosi për here të parë nën rregullim tarifat me pakicë të telefonisë celulare, si përgjigje ndaj çmimeve shumë të larta dhe mungesës së konkurrencës efektive mes dy operatorëve të atëhershëm.

Pas vitit 2008, me nisjen e aktivitetit të operatorit të tretë të dhe të katërt, konkurrenca ndikoi në uljen e ndjeshme të çmimeve dhe nevoja për të rregulluar tregun në nivel pakice u vlerësua e tejkaluar. Por, rikthimi i tregut në një strukturën duopol, ku ndodhej deri në vitin 2008, ka risjellë mes institucioneve rregulaltore të tregut dilemën nëse duhet konsideruar përsëri ndërhyrja ex-ante në tregun me shumicë të komunikimeve celulare.

Në përgjithësi, rregullimi i tregjeve me pakicë (tarifave me pakicë) është një praktikë e rrallë mes autoriteteve rregullatorë të telekomunikacioneve në Europë.

Megjithatë, legjislacioni i Bashkimit Europian parashikon se një rregullim ex ante i tregjeve të komunikimit mund të justifikohet në rastet kur përmbushet testi i tri kritereve: ekzistenca e barrierave hyrëse dhe jo kalimtare për hyrjen e konkurrentëve të rinj; një strukturë tregu që nuk është e orientuar konkurrencës efektive; pamjaftueshmëria e ligjit të konkurrencës për të adresuar problemet e tregut.

Në fakt, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar disa herë në dekadën e fundit vendosjen në rregullim të tregut celular me pakicë. Por, AKEP e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë (të paktën deri në vitin 2020), me argumentin se testi i tre kritereve nuk e justifikonte një ndrhyrje të tillë.

Megjithatë, ulja e numrit të operatorëve dhe shqetësimet e shprehura nga AKEP në analizën e fundit të tregut celular tregojnë se ndoshta një lëvizje e tillë mund të merret në konsideratë.Monitor.

Exit mobile version