Numri i aksidenteve rrugore në vitin 2023 shënoi një rritje me të paktën 600 raste më shumë, ndërsa mjekët shprehen se gati gjysmë e tyre kanë qenë të rënda.
“Këtë vit kemi 600 aksidente më shumë krahasuar me një vit më parë, rritja është domethënëse dhe fatkeqësisht 40-50% e rasteve janë të rënda, me trauma koke ku rikuperimi është shumë i vështirë. Një ndër arsyet kryesore është konsumimi i alkoolit por sigurisht edhe tejkalimi i shpejtësisë”, tha Gjovalin Bushi, shefi i shërbimit të urgjencës në Spitalin e Traumës.
Drejtoresha e spitalit të traumës, Edlira Bode nënvizon se gjatë ditëve të fundit të vitit, por edhe në nisje të vitit të ri, ka shtim të aksidenteve si rrjedhojë e fluksit të madh të lëvizjeve por edhe konsumimit të pijeve alkoolike.
“Spitali i traumës vazhdimisht mban një ngarkesë të rëndësishme sidomos pas festës së ndërrimit të viteve ku ndodhin më së shumti aksidente të vogla”, u shpreh Edlira Bode, drejtoreshë e Spitalit të Traumës.
Sipas ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, në rang vendi do të jenë rreth 2 mijë mjekë dhe infermierë që do të qëndrojnë në gatishmëri.
“Stafet mjekësore do të jenë në gatishmëri në të gjitha strukturat shëndetësore në të gjithë vendin. Përfshirë këtu spitalet rajonale dhe ato bashkiake, por jo vetëm. 31 struktura të sistemit parësor do të jenë në gatishmëri. Janë rreth 2 mijë personel shëndetësor, mjekë dhe infermierë të cilët do të jenë në gatishmëri për çdo nevojë që qytetarët mund të kenë gjatë ndërrimit të viteve”, tha ministrja Koçiu.
Sakaq në Tiranë edhe katër qendra shëndetësore do të ofrojnë shërbim përgjatë 24 orëve në shtatë ditë të javës për urgjencat pediatrike.