Braktisja e arsimit pas pandemisë është përkeqësuar ndjeshëm në vendin tonë, por ky fenomen po bëhet shqetësues te femrat.
INSTAT raportoi se gjatë vitit 2022, rreth 10% e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar.
Pedagogia Adriatike Lami në një intervistë në një intervistë televizive u shpreh se përveç shifrave zyrtare që raporton INSTAT-i, është edhe fenomimeni që nuk përmendet asnjëherë, ai i braktisjes së fshehtë të shkollave, që do të thotë është ai grupi i analfabetëve funksionalë që edhe pse nuk është larguar nga vendi, vendos të mos jetë në auditore.
“Pas pandemisë dhe situatave që kaloi e gjithë bota, por edhe specifikave që ka vendi ynë, pritej një braktisje më e madhe e shkollës dhe problematika të thella në arsimin parauniversitar.
Por shifra prej 10 për qind është një shifër goxha e lartë dhe ajo që nuk është në këtë 10 % shifra më e madhe e braktisjes është nga vajzat. Braktisja duhet parë në disa plane: E para, sa shifrat e INSTAT përputhen me numrin e nxënësve brenda Shqipërisë, sepse ka gjasa që braktisja të jetë më e madhe se kaq.
Shqipëria ka dhe elementë të tjerë që i bashkëngjiten pasojave të pandemisë siç janë: gjakmarrja, braktisja e mëhershme, mbyllja e shkollave ku ka numër të vogël nxënësish, varfëria dhe pse jo mentaliteti prindëror, martesat në mosha vogla. Pra janë shumë probleme që duhet të analizoheshin më shumë. Vajzat, sepse ato janë më të lehtat për ta braktisur shkollën sa herë ekzistojnë këto fenomene.
Por përveç kësaj është edhe ajo që ne shpeshherë e komentojmë me shaka dhe e trajtojmë si braktisës funksionalë të shkollave, apo analfabetët funksionalë. Dhe këto nuk janë gjë tjetër ata që braktisin shkollën duke qenë në auditorë.
Dhe meqë jemi duke trajtuar braktisje, gjej me vend të përmend këtu edhe atë kategori fëmijësh që mendoj se do ta rrisë edhe më shumë këtë shifër statistikore që ne me të drejtë na ka shqetësuar. Sepse fëmijët apo vajzat që braktisin shkollën sot do të jenë nënat e ardhshme nesër dhe nuk do të kenë kompetencat e duhura për të qenë të afta.”, u shpreh ndër të tjera pedagogia Adriatike Lami.