Bujaria, mbështetja për atë që ka nevojë, së bashku me mikpritjen kanë qenë historikisht tradita të shqiptarëve, që theksoheshin vazhdimisht në tekstet shkollore, apo në histori e libra të autorëve të ndryshëm. Por, këto tradita tashmë duket se i përkasin vetëm historisë. Sondazhi i fundit i “Gallup”, i kryer në funksion të indeksit të lumturisë 2023, tregon se Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë, sa i takon treguesve të bujarisë dhe mbështetjes sociale.Krejt ndryshe është situata për shtetasit e Kosovës, që vijojnë t’í ruajnë e zbatojnë këto tradita, duke u renditur ndër të parët në botë sa i përket bujarisë.Mbështetja sociale është një tregues që sipas metodologjisë së raportit lidhet me pasjen e dikujt ku të mbështetesh në kohë telashesh. Pyetja që u drejtohet të anketuarve është: “Nëse keni qenë në telashe, a keni të afërm ose miq që mund të mbështeteni për t’ju ndihmuar sa herë që keni nevojë, apo jo?” Shqipëria në këtë tregues renditet e fundit në Europë dhe e 29-a nga fundi në botë dhe ka diferencë nga shtetet e tjera të Europës. Mbështetja sociale e shqiptarëve është njëlloj me atë të shteteve si Congo, Zimbabwe, Kenya, Honduras etj.
Në rajon, pas Shqipërisë, mbështetje më të ulët sociale ka në Maqedoninë e Veriut.
Kosova renditet ndër 40 vendet në botë që mbështesin njëri-tjetrin, ndërsa nuk ka të dhëna për Serbinë e Malin e Zi.Shtetet me mbështetjen sociale më të lartë në botë janë Zelanda e Re, Danimarka, Finlanda, Islanda.Edhe në indikatorin tjetër, atë të bujarisë, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë.Për të matur treguesin e bujarisë, të anketuarve u drejtohet pyetja: “A keni dhuruar para për një bamirësi muajin e kaluar?”Sipas raportit, ky është një tregues i qartë për një ndjenjë të angazhimit pozitiv të komunitetit dhe një mënyrë kyçe që njerëzit të lidhen me njëri-tjetrin. Hulumtimet tregojnë se në të gjitha kulturat, duke filluar nga fëmijëria e hershme, njerëzit tërhiqen nga sjelljet nga të cilat përfitojnë njerëzit e tjerë.Shqipëria është ndër vendet më pak bujare të Europës, por rekordin (negativ) e mban Greqia, së bashku me Bullgarisë, Rumaninë, Portugalinë. Shtetasit e Kosovës sërish renditen shumë më mirë sesa ne, ndër 25 shtetet më bujare në botë.Mbështetja e ulët e pritshme nga miqtë e të afërmit, së bashku me të ardhurat e ulëta për frymë, e perceptimin e lartë të korrupsionit janë disa nga faktorët që e rendisin Shqipërinë ndër shtetet më të palumtura të Europës.Në raportin e fundit të Lumturisë, të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka humbur një pozicion, duke u renditur në vendin e 91 nga 146 shtete gjithsej.Nga vendet e Europës, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut (92), Turqinë (102) dhe Gjeorgjinë (106).Ndonëse të ardhurat për frymë të Kosovës janë më të ulëta sesa të Shqipërisë, sërish shtetasit e Kosovës renditen shumë më mirë se Shqipëria në indeksin e lumturisë, pasi fitojnë pikë nga mbështetja e lartë, që kanë për njëri-tjetrin.Kosova u rendit në vendin e 34 në botë dhe më e lumtura në rajon. Pas saj është Serbia në vendin e 45. Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi u renditën përkatësisht në vendin e 63-të dhe 71./Monitor