Si një ndër shkaqet kryesore emigracioni, Shqipëria regjistron çdo vit 3% më pak fëmijë. Duke marrë në studim 5 vjeçarin e fundit, numri total i fëmijëve në vendin tonë është ulur ndjeshëm. Instat regjistron 12.4% adoleshentë dhe 22.7% të rinj ndaj popullsisë gjithsej në vitin 2021. Në krahasim me vitin 2017, pesha e këtyre grupmoshave është në rënie të vazhdueshme. Ulja e numrit të moshës së fëmijëve dhe të rinjve në vendin tonë tregon një plakje të mëtejshme të popullsisë. Vetëm për fëmijët 0-17 vjeç krahasuar me 5 vite më parë, shifrat regjistrojnë 2.2% më pak fëmijë. Nëse ndalemi në qytete, peshën më të lartë të fëmijëve e regjistron Kukësi me 24,7% të popullsisë së qarkut, ndërsa më e ulëta në Vlorë (18,3%). Gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), numri i fëmijëve ka ardhur duke u ulur gradualisht në të gjitha qarqet, me uljen më të ndjeshme në Gjirokastër dhe Berat (24% dhe 20% përkatësisht). Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë uljen më të vogël (përkatësisht 3% dhe 6%), krahasuar me fillimin e periudhës, ndihmuar kjo edhe nga prurjet e migrimit të brendshëm, që i ka kthyer tashmë në dy qarqet me përqendrimin më të lartë të popullsisë së vendit. Sipas projeksioneve të popullsisë Shqipëria ën vitin 2031 do të ketë 0.2% më pak fëmijë djem të moshës 0-14 vjeç, 6% më pak meshkuj të moshës 15-64 vjeç dhe shifra rritëse të numrit të pensionistëve me 6%. Përsa i përket femrave projeksionet tregojnë ulje të popullsisë me 0.8% në 2031 për grupmoshën 0-14 vjeç, 5.2% më pak femra për grupmoshën 15-64 vjeç dhe 6% më shumë pensioniste në 2031. Në këto projeksione, shkak për uljen e numrit të popullsisë në Shqipëri sipas treguesit të mirëqenies për fëmijët, renditet vdekshmëria dhe migrimi, teksa lindshmëria do të paraqitet e ulët. Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2021, rezulton 2.829.741 banorë, nga të cilët 579.203 janë fëmijë (0-17 vjeç).