Aktualitet

Diga e Liqenit të Tiranës, Komiteti: Të dorëzohet raport për monitorimin, 20 vjet pa rehabilitim

Diga në Liqenin Artificial të Tiranës është bërë këtë herë pjesë e mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha duke kërkuar që nga Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizime-Tiranë të dorëzohet raport për plotësimin e kërkesave për monitorimin dhe sigurinë.

Komiteti nënvizon se prej të paktën 20 vitesh nuk janë kryer rehabilitimet e kërkuara lidhur me këtë digë.

“Raporti vjetor i vitit 2022 për shfrytëzimin, operimin, monitorimin dhe sigurinë e digës së liqenit Artificial të Tiranës që shfrytëzohet nga UKT dhe të 38 digave që shfrytëzohen nga bashkia Tiranë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të ardhur në Sekretariatin e Komitetit të Digave të Mëdha, rezulton se UKT akoma nuk ka dorëzuar një Raport në lidhje me digën e liqenit të Tiranës dhe nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me plotësimin e kërkesave të KKDM për monitorimin e kësaj dige. Diga e Tiranës vazhdon të jetë në gjendje problematike duke qenë se prej më se 20 vitesh nuk janë kryer rehabilitimet e kërkuara nga KKDM.

Gjithashtu, Bashkia Tiranë nuk ka përgatitur dhe dorëzuar akoma planet e emergjencave civile dhe rregulloret për shfrytëzimin, operimin, monitorimin dhë sigurinë e digave të mëdha që administrohen prej saj. Pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve te pranishëm, KKDM vendosi të organizohen takime pune me përfaqësuesit e UKT dhe bashkisë Tiranë për tju kërkuar zbatimin e kërkesave të ligjit për shfrytëzimin, monitorimin dhe sigurinë e digave të mëdha që administrohen prej tyre” thuhet në raportimin e mbledhjes mujore të Komitetit.

Në të njëjtin takim Komiteti u mor në analizë edhe regjistri i digave të mëdha dhe shfrytëzuesve të tyre për vitin 2022.

“KTPD pas verifikimit të regjistrit ekzistues të digave të mëdha dhe dokumentacionit të ardhur gjatë këtij vitit, paraqiti regjistrin e rishikuar dhe të përditësuar për digat e mëdha dhe për shfrytëzuesit e digave. Sipas këtij regjistri, rezulton se në Shqipëri janë 351 diga të mëdha që shfrytëzohen nga 67 subjekte publike dhe private.

Një listë e digave të mëdha dhe shfrytëzuesve të tyre u paraqit për shqyrtim dhe miratim. KKDM pas shqyrtimit të kësaj liste vendosi të miratojë regjistrin e digave të mëdha dhe shfrytëzuesve të tyre të paraqitur nga KTPD. Kjo listë do të botohet në faqen e internetit të KKDM” thuhet në publikimin e Komitetit./Monitor 

Exit mobile version