Aktualitet

Dita Botërore e Ushqimit, nxënësit e shkollës Tregtare Vlorë bëjnë gjestin human

Sot është Dita Botërore e Ushqimit. Familjet me probleme ekonomike u harruan nga të gjithë, por jo nga fëmijët e shkollës Tregtare Vlorë.

Ata bënë gjestin human për 50 familje me probleme ekonomike u ndihmuan sot me 50 pako ushqimore. Një nisme që më shumë sesa dhuron disa vakte ushqimi, sensibilizon për të kthyer vëmendjen edhe nga ata që edhe ushqimin e kanë luks.

Ishin fëmijët, nxënës të shkollës profesionale Tregtare të Vlorës, të organizuar rishtaz që mblodhën me dhurime nga persona që iu bashkuan thirrjes së tyre, ushqime, e më pas i dhuruan tek familjet që kanë nevojë për mbështetje. Ishte ide e mësuesit Deni Llanaj, mbështetur nga kolegë e nxënës që shpërndanë thirrjen pak ditë më parë për t’iu bashkuar kësaj iniciative.

Dhe reagimet erdhën nga vetëm 1 biznes dhe disa individë (emrat nuk dëshirojnë të bëhen publik), por fatkeqësisht jo nga politika. E megjithatë mesazhin nxënësit sot e dhanë të qartë “ata që kanë pak, dinë të ndajnë e dinë të gjenden”.

Askush nga 50 familjet që këta fëmijë i trokitën në derë sot nuk do mbajë dot familjen nga kjo pako modeste ushqimore, e as jeta e tyre nuk do ndryshojë, por nxënësit treguan se nëse të gjithë dhurojmë pak nga ajo që kemi, do sjellim një buzëqeshje më shumë.

Në këtë ditë të shënuar, që fatkeqësisht askush që do duhej të reagonte, nuk reagoi, janë këta fëmijë që na kujtojnë ndërgjegjen…a shikojmë ne përtej hundës sonë?

Exit mobile version