Aktualitet

Drejtuesja e AMF vlerësohet për kontributin në zhvillimin e tregjeve financiare dhe procesin e integrimit.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Mimoza Kaçi u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje nga Universiteti Europian i Tiranës. Vlerësimi u akordua për kontributin në zhvillimin e sektorit financiar në Shqipëri, përafrimin e legjislacionit dhe avancimit me standardet e BE-së si dhe mbështetjen për rritjen e edukimit financiar dhe aftësive profesionale.

Para studentëve dhe kolegëve, znj. Kaçi foli për modelin e një gruaje në karrierë, të një nëne të përkushtuar dhe një liderje që frymëzon.

 “Është vlerësimi më i madh që më bën institucioni ku kam investuar, që më ka mbështetur dhe në fakt ka qenë një gur kilometrik në rrugëtimin tim professional,” u shpreh drejtuesja e AMF-së.

Lidhjet me universitetin, znj. Kaçi i ka vijuar edhe pas marrjes së detyrës së lartë si nëndrejtore Ekzekutive dhe Anëtare e Bordit të AMF-së, një dekadë më parë. Prej një viti, ajo drejton Autoritetin dhe është gjithashtu udhëheqëse e negociatave të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”.

Pas marrjes së vlerësimit nga Presidenti i UET, Selami Xhepa, znj. Kaçi tregoi për studentët e ata që janë në nisje të karrierës, disa prej elementëve që e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj. Duke u ndalur te vlerat dhe parimet, Kaçi nënvizoi integritetin dhe sinqeritetin si çelës suksesi për të pasur një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi.

“Jam përpjekur të jem e vërtetë në çdo bashkëpunim, në çdo iniciativë, në çdo projekt dhe në fakt mendoj se ka qenë një forcë e madhe që më ka dhënë krahë në këtë rrugëtim.”

Drejtuesja e AMF-së këshilloi studentët që të shfrytëzojnë fuqinë e iniciativës, të përqafojnë dhe përdorin mundësitë dhe inovacionin teknologjik për të bërë dallimin me të tjerët dhe për të prekur ëndrrat e tyre. “Përpiquni të jeni inovativë me ide dhe të gjeni frymëzimin për të ecur përpara.”

Një tjetër pikë thelbësore në lidership, znj. Kaçi nënvizoi bashkëpunimin dhe krijimin e frymës së grupit, duke ndarë me stafin vizionin e saj për institucionin dhe të ardhmen. Ajo gjeti rastin që të falënderonte gjithë kolegët dhe stafin e saj të AMF-së, për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin në arritjen e standardeve të kërkuara. Nga ana tjetër theksoi faktin se pak frymë femërore i duhet çdo lidershipi.

Duke respektuar, duke i dëgjuar, duke pasur empati, duke i bërë që të ndjehen të vlerësuar. Është e rëndësishme që secili prej nesh të ndjehet mirë në vendin e punës, të ndjehet i vlerësuar. Nëse nuk ndajmë këto vlera, këtë mënyrë drejtimi, nuk i bëjmë mirë as vetes dhe as të tjerëve,” u shpreh ajo.

Kaçi e quajti nder dhe privilegj drejtimin e negociatave të Kapitullit 9, por edhe një mundësi për të kontribuar e çuar para Shqipërinë e për ta bërë pjesë të familjes evropiane.

Mjaft emocionues ishte momenti kur znj. Kaçi falënderoi familjen e saj për mbështetjen. Si nënë e dy fëmijëve, znj. Kaçi, tha se pa mbështetjen e familjes dhe bashkëshortit do ta kishte gati të pamundur të vijonte zhvillimin profesional dhe kontributin publik.

Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, u shpreh i kënaqur për vlerësimin e një kolegeje, që prej vitesh ka qenë dhe vijon të jetë lektore në aulat universitare, duke veçuar gjithashtu edhe kontributin në sektorin publik.

“Jam i kënaqur që nderojmë një personalitet, që edhe pse në moshë të re mendoj se ka kontribute të spikatura, sepse për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore është titullare e AMF-së, të një prej institucioneve më të rëndësishme në vend që bashkë me Bankën e Shqipërisë përbëjnë bordin e garantimit të stabilitetit të sistemit financiar”, u shpreh Xhepa.

Po ashtu, dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Ermela Kripa theksoi faktin se ky fakultet për të dytin vit ka nderuar gra edhe vajza që udhëheqin me vizion, përkushtim, duke ofruar modele frymëzuese për studentët.

Exit mobile version