Ekonomi

Emigracioni masiv, shqiptarët përbëjnë popullsinë e nëntë më të madhe në BE nga e gjithë bota, “konkurrojmë” me Indinë.

Ndonëse është një nga shtetet që ka një popullsi të vogël, shtetasit shqiptarë po zënë një peshë të rëndësishme në vendet e Bashkimit Europian. Sipas një raporti të fundit të INSTAT, shqiptarët renditen të nëntit në Europë në listën e qytetarëve të jo-BE-së, që jetojnë në një nga shtetet e Bashkimit Europian, me rreth 2.4% të totalit të të huajve jo shtetas të BE-së, që jetojnë në një nga vendet e BE-së. Sipas Eurostat, në fillim të vitit 2021, në BE banonin 23.7 milionë njerëz që nuk ishin shtetas të një shteti anëtar. Kjo ishte e barabartë me 5.3% të popullsisë së BE-së. 31 shtetësi jashtë BE-së kishin të paktën 1.0% të të gjithë shtetasve jo-BE që jetonin në BE, ashtu si edhe joshtetasit e njohur. Këta së bashku përbënin 76,7% të të gjithë qytetarëve jo-BE që jetojnë në BE. Komunitetet më të mëdha ishin marokene (8,7% e të gjithë njerëzve që banonin në BE që nuk ishin shtetas të një shteti anëtar të BE-së), turq (8,5%) dhe sirianë (5,2%). Pas sirianëve renditej Kina, me rreth 4.2%, Mbretëria e Bashkuar me rreth 4%, Ukraina, me rreth 3.9%, Rusia, me 3.5%, Algjeria me rreth 3% dhe më pas Shqipëria.

Të gjitha shtetet që renditen mbi Shqipërinë, kanë një popullsi aktuale shumë më të lartë se e jona: Maroku (37 mln); Turqia (85 mln); Siria (21 mln); Kina (1.4 mld); Mbretëria e Bashkuar (67.3 mln); Rusia (143 mln); Algjeria (44 mln).

Ndërsa popullsia e Shqipërisë vlerësohet në rreth 2.8 milionë banorë aktualisht, por do të jetë Censi i ri, që pritet të zhvillohet në shtator, që do të hedhë dritë mbi përmasat reale të popullsisë që ka mbetur akoma në vend.

Për nga pesha e popullsisë që jeton në BE, shqiptarët krahasohen me indianët, që vijnë pas nesh, në vend të dhjetë (India ka 1.4 miliardë banorë).

Sipas statistikave të tjera të Eurostat, në vitin 2021, në BE kishte gjithsej rreth 570 mijë shtetas shqiptarë. Italia mban peshën kryesore me rreth 433 mijë persona. Në Gjermani, numri i shtetasve shqiptarë është rritur ndjeshëm vitet e fundit duke arritur në 77 mijë persona dhe në Francë në 33 mijë.

Eurostat nuk raporton të dhënat për Greqinë, ku shtetasit shqiptarë janë në nivele të krahasueshme më Italinë. Duke shtuar dhe Greqinë, popullsia shqiptare që jeton në vendet e BE-së llogaritet në rreth 1 milionë, ose 4.2% të totalit të shtetasve që nuk janë me origjinë nga BE, por jetojnë në një nga shtetet e Bashkimit Europoian. Kjo do ta rendiste Shqipërinë në vend të katërt nga gjithë shtetet e botës, pas Marokut, Turqisë, Sirisë dhe Kinës (shënim i Monitor).

Emigracioni është një fenomen i pandalshëm që ndodh në të gjitha vendet e botës. Por, përmasat me të cilat vijon në Shqipëri janë tepër të larta, për madhësinë e vendit, çka tregohet dhe nga fakti që shqiptarët janë në shifra në ngjashme në BE me vende që kanë popullsi që e kalojnë 1 miliard personat.

Vitet e fundit ritmet e larta të emigracionit, sidomos të të rinjve po ndikojnë dukshëm tregun e punës, konsumin, ndërsa në një afat më të gjatë pasojat do të jenë më të mëdha në produktivitetin e ekonomisë dhe skemën e pensioneve.

Exit mobile version