Kulturë

“Eposi i Bjeshkëve të Lumës”, një monument i trashëgimisë nga Petrit Palushi

Albert Vataj

Prumja nga Petrit Palushi e “Eposi i Bjeshkëve të Lumës” është një ngjarje, përmasat e së cilës përcaktojnë vlerësimin që i është rezervuar këtij akti sendërtues i shpirtit të kohës dhe mëtimit të gjeneratave, i cili tenton të fusë në hartën e trashëgimisë se pasurisë Lumën, këtë trevë të pasur etnokulturore. Rruga për deritekkëtu, ka kaluar nëpër shtigje të ngushta e rendur nëpër terrene të ashpra. Ky epos është një grup prej 60 legjendash që Palushi i ka mbledhur, seleksionimit, përplotësimit, rikrijuar dhe formësuar në një trajtesë të re, duke i qëndruar besnik tharmit që ka mbrujt në magjen e kohë, bukën e sofrës së kremtes së etnokulturës.

Petrit Palushi, ndoshta është i fundit prej atyre, shpirtja e të cilëve, tue rrëmu në kohë dhe kujtesë, tue përshku terrin e misterit, e ka davaritë mjegullën e mistikës, ka ba të mujtun të sjellë në jetë; ç’ka koha dhe harrimi e ka ngurtësua, dikund e ka thërrmue, dikund e ka fshehur, jo pak herë ajo ka nxjerrë krye, tue xan me folë, me dëshmu.

“Eposi i bjeshkëve të Lumës”, i Petrit Palushit shpalon një realitet mistik kah erdhi jo vetëm zëshmëria e brezave, por prejku zuni fill një prej vlerave më të qenësishme të një parkatësie identitare. Vjen ky Epos, shpërfaqet shtresë pas shtrese, tue dalë prej humusi bima e shpirtit të një populli, e tue kërku me leshu shtat e me u harlisë në një kohë harbimesh të gjithfarshme, ndoshta jo si një kundërvënie e një kulture dhe tradite, por si një pasurim i thesarit shpirtëror, përmes të cilin Bjeshkët e Lumës kërkojnë t’u flasin gjeneratës dhe brezave. Sepse ky zë, kjo rrëfimtari, kjo lojë e imagjinatës dhe përfytyrimit, ky trill, kërkon një vend të privilegjuar në panteonin e thesareve, si një qasje për të shpjeguar caqet kah kaluan kohët e shtegtuan legjendat, për të sosun tekktu, si një realitet që mbetet real në magjepsjen adhuruese.

Nëpër epos

Dhe, copëz pas copëze, erdhi “Eposi i Bjeshkëve të Lumës”, duke marrë pamjen e plotë peizazhi epik, nëpër të cilin kalon pasuria shpirtërore e atyre që pavdekësuan ngjarje dhe situata, histori dhe gojëdhëna, mitet dhe legjendat, përfytyrimet dhe shpengimet trillane.

Morën emër dhe zunë vend në “Eposi i Bjeshkëve të Lumës”; Kroi Tanzot, Stani i Zanave, Te Stani i Lulit, Shpella e Borës, Kroi i Shëngjergjit, Lisi i Djalit, Prroi i Andrrës, Kroi i Bardhë, Kroi i Kuq, Kroi i Rrenuem, Te Shkalla e Keqe, Fusha Kalore, Gjurra e Zezë e Surrojt, Sytë e Kalit, Te Tumja e Kajes, Si e shpëtuen zanat Kajen, Kthimi i Kajes te Nana, Si i erdh goja cucës memece, Zanat te Kroi Thartojn, Me e pa botën prej kepit madh, Kama e Atit, Lera e Sorrave, Ujana e Zanave, Vijat e Laknave, Kurrizi i Pelës, Mani i Vishit, Kepi i Përdredhtë, Lugji Shurdh, Fusha e Kafes, Kroi i Cucës, Kroi i Hasës, Prroi Pelin, Shpella e Thatë, Kepat e Lusnës, Si ecën kuajt përmbi Dri, Shtrati i Shqipes, Hijet e Zanave, Kroi i Mizës, Manat e Mustafe, Stani i Vetimave, Fyelli te gjurra e Brrutit, Shpella me Pesë Gishta, Lisat e qarrit t’kuq e t’zi, Si u prish miqësija e çobanit me gjarpnin…, Si u këput hana unazë – unaza, Plaka n’stan para kohe, Shpella e Fil Alisë, Kroi i Zanit, Si u kthyen kali e pela mbas 10 vjetëve, Qeni i çobanit. Dhe janë sot e mbas gjithë këto përcakti dhe përkufizime, këto gjasshmëri që na tregojnë se jeta e paraardhësve tanë ishte më e çliruar nga kufizimet, ngase ajo mundet me ken sot. Ata i dhanë jetë ëndrrës, imagjinimit i mëkuan frym prej frymës së tyre, përfytyrimin e krijuan prej asgjësë dhe idilin e shkrepëtitën në sytë që mundnin veç të shastiseshin.

Legjendat dhe ligjërimi

Një nga veçoritë e këtij treguesi të legjendave të bjeshkëve të Lumës, patjetër që përveç asaj që rreket të jetë, është edhe mënyra se si Petrit Palushi i ka sjellë ato, duke i rejetu dhe rikriju, duke shku mbas në kohë e riardhë në të tashmen, për me mujt me gjetë pëktakimet e me e përafru me mënyrën e perceptimit dhe përjetimit. E ka bërë Petrit Palushi këtë përmes një gjuhe të pasur, përmes një dialektike që guxon ta ruaj të paprekur ligjërimin dhe t’ia pasojë tashmërisë si një thesar. Ai e përshkon rrugëtimin nëpër legjenda, për ta sjellë atë jo si një ligjërim i tashëm, por si zgjim i një zëri që vjen nga larg, një jehone që del nga luginat, një gurgullime që shamaton nga krojet, një shkreptime që feks nga mrazi i motit.

Gjuha e pasur që mishëron këtë shpirt legjendash është epika  e asaj pasurie shpirtërore që nuk lejon të vdesë zëri që u ngjiz në shpirtrat e kohës, duke veshur imagjinatën e përfytyrimit dhe përjetimit, me një brerorë drite. Kjo e shkuar, e rrezikuar nga harrimi dhe degradimi, e kthyer nga udhë e ikjes prej Petrit Palushit, dëshmon se e shkuara, e tanishmja dhe e ardhmja, kanë nevojë për tharmin e kësaj pasurie për të ngjizur ligjërimin e çdo kohe. Asnjë lloj progresi teknologjik nuk është aq i pasur sa të zëvendësojë atë që ka dalë nga shpirti i njerëzve, të cilët përmes trillit dhe legjendave, e bënë jetën e tyre një realitet imagjinar, të populluar nga zana e shtojzovalle, nga orët e maleve e grindët, nga krijesa që përfytyrimi i lindi për t’i pavdekësuar sot krijuesi.

Larmia e tregimtarisë

Jo vetëm kujtesa, e cila e ka mbajtur të gjallë dritën e legjendës, por edhe nevoja e njerëzve për të jetuar me legjenda, i ka bërë ato jo vetëm të vërteta, por edhe realitetin bestyt, zërin e kakohshëm, tek i cili fshihej një domethënie që udhëpriu jetën e këtyre banorëve, si një busull, duke e ngërthyer atë jo dhe aq në trille të imagjinatës, se sa në parathënien e fatit, tek i cili lexohej kuptimi i çdo ndodhie.

“Zotnat e qiellës, qiella, përtejqiella, dielli, hana, malet, bjeshkët – herë të qeta e herë të zimta, gjurrat e krojet kahmos e mos, zanat, kjoft’largëtit, çobanët, delet, kuajt, shqipet, fluturimi i fëmijës në krahë të shqipes, këndellja e fluturima e zogjve, etj., etj.”, shkruan Palushi në hyrjen e këtij eposi.

Harta e legjendave

Petrit Palushi, ndryshe nga mbledhës, pasurues dhe rrëfyes të mëhershëm të legjendave, ai e ka përcaktuar në një hartë rreptësisht korrekte këtë histori legjendash. Duke e saktësuar këtë rrugëtim, ai sjell në jetë jo vetëm një hartë të legjendave të bjeshkëve të Lumës, por i bën të qartë edhe kufijtë nëpër të cilin kalon ky shpirt, duke udhëtuar nëpër net e kohë, për të ardhur tekkëtu si një kujtesë.

Përkufizimet e poshtëshënuara janë piketa të toponimeve të vendeve që janë pagëzuar nga legjendat, për të mbetur kujtesë nëpër të cilën kalon e shkuara për t’u takuar me të tashmen dhe për t’i mbetur gjeneratave një testament i trashëgimisë. Kama e Atit, Kroi i Rrenuem, Fusha e Kafes, Ujvara e Çajës, Fusha Kalore, Shpella e Thate, Teqja e Sheh Rrapit, Gjurra e Zeze, Shtrati i Shqipes, Shpella e Rremes, Sytë e Kalit, Kroi i Mizës, Perroi Pelin, Kuajt ne Dri, Stani i Vetëtimave, Kroi i Cucës, Tumja e Kajës, Shpella me 5 gishta, Mullini i Shkinakut, Stani i Lulit, Lisat e Kalisit, Lisi i djalit, Kroi Thartojn, Stanari dhe gjarpri, Kroi i kuq, Lera e Sorrave, Pisha e Shkalles se Keqe, Ujana e Zanave, Kthimi i kuajve, Shpella e Gjyshes, Shpella e Fil Alise, Kurrizi i Pelës, Kroi i tangot, Stani i Zanave, Mani i Vishit, Kroi i Mbretit, Shpella e Bores, Mustafaj, Kepat e Lusnes, Kroi i Shëngjergjit, Manat e Mustafe, Drita e zanave, Perroi i Andrres, Kepi i Perdredhet, Teqja e Buzmadhes, Kroi i Bardhë, Lugji Shurdh, Si i erdh goja cucës, Gurra e Brrutit. Parakalon koha nëpër këto vende si në një kalvar i gjatë, nëpër të cilët sekund lindi nga një legjendë, mori jetë një histori.

Filli përshkues i këtij eposi shquhet jo vetëm nga larmia e ndodhive dhe ngjarjeve, e personazheve dhe botëve, por edhe karakteristikat dalluese dhe virtytet që identifikojnë një përkatësi krahinore, në themel të së cilës qëndron besa dhe trimëria, urtësia dhe bukuria, dashuria dhe pasioni, pasuria shpirtërore dhe krijimi, etj., etj., krejtkëto për të treguar se me çfarë këto banorë të eposit kanë sfiduar kohën.

“Eposi i Bjeshkëve të Lumës” është dhe do të mbetet një pjesë e rëndësishme e etnofolkut shqiptar, jo vetëm i Lumës, të cilit i përket por kulturës sonë kombëtare dhe të drejtës që kemi për t’u mburrur për thesaret që trashëguam dhe pasurinë shpirtërore që zotërojmë.

Ilustrimi, si një gjallje të shpirtjes

Ajo që merr një vlerë të kësaj enciklopedie që “Eposi i bjeshkëve të Lumës” sjell është ilustrimi që këtyre legjendave u ka bërë piktori Bib Frrokaj. Tue e jetësua me imazh, ilustrimi i këtij mjeshtri rreket me pru një gjallje të kësaj shpirtje të traditës dhe krijimit. Shoqërimi i çdo legjende me figurinën e vet identifikuese, shërben jo si njolla bardhe e zi, se sa një andje për me lexue dhe kuptu çfarë Petrit Palushi ka sjellë dhe brezat kanë ngjiz. Ilustrimi që i është bërë këtij eposi të kthen mbas në kohë, kur tekstet me doemos duhej të kishin edhe përfytyrimin, imazhin që rizgjon një botë të shkuar, i rimishëron gjendjet eterne që udhëtuan në dimensionet e kohës, për t’i aktualizuar dhe gjalluar me një frymshmëri që del nga ligjërimi.

Epilogu

“Eposi i bjeshkëve të Lumës” është padyshim një nga monumentet e traditës dhe pasurisë shpirtërore  që Petrit Palushi i sjell Kukësit, i cili paskëtu do të ketë edhe një tjetër faqe për të rrëfyer historinë e vet, një dritare kah ka me mujt çdokush me pa dritën që mëkoi shpirti krijues i një populli, i cili ka jetua me legjendat si pjesë e një eposi, si një dëshmim që del nga thellësia e kohës dhe ashti i një populli, si një jehonë e gjallë që depërton në përjetimin e tashëm si zgjim.

Rivijnë këto legjenda në këtë Epos, tue gjet një gjuhë dhe kohë tjetër rrëfimtarie, për me qenë e me mbet të paprekshme dhe e pacënua palca e origjinës dhe ashti i brezave.

Exit mobile version