Aktualitet

Ethet e Nilit Perëndimor, si ndodh infektimi, sa raste ka në Shqipëri dhe këshillat për t’u ruajtur

Në Shqipëri, autoritetet thonë zyrtarisht se janë identifikuar 62 persona të infektuar me Ethet Nilit Perëndimor, bazuar në analizat në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, raporton noa.al.

Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomina thotë se rastet janë nga zona të ndryshme të vendit dhe se survejanca për këtë sëmundje është e ngjeshur dhe intensive në të gjitha nivelet.

“Aktualisht jemi në nivelin e 62 rasteve të konfirmuara, kemi një shpërndarje gjeografike në disa zona të vendit. Ka raste të shtruara në spital, por bashkitë duhet të kryejnë dezinsektimin në zonat vatra ku janë identifikuar rastet”, tha Tomini.

Por si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavaresisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin.

Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.

Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.

Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.dhe shfaqen vetem ne 1% te personave te infektuar.

Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.

Si vendoset diagnoza?

Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngun e trunoshpinor,urinen, gjakun apo mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.

Parandalimi

Kufizimi i rrezikut të infektimit te njerëzit

Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.

Kontrolli i mushkonjave

Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.

Parandalimi i infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor

Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat e pergjithshmetë kontrollit të infeksionit.

Parandalimi i transmetimit të virusit në kuaj dhe zogj

Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar.

Virusi i Nilit Perëndimor: Sa i rrezikshëm është?

Rreziku i sëmundjes neuroinvazive të Nilit Perëndimor është më i lartë tek njerëzit e moshës 60 vjeç e lart, njerëzit me imunosupresion dhe njerëzit me sëmundje të tilla si diabeti ose dështimi i veshkave.

Virusi i Nilit Perëndimor u identifikua për herë të parë në rajonin e Nilit Perëndimor të Ugandës në vitin 1937. Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht te njerëzit nga pickimi i mushkonjave. Ekziston në një cikël transmetimi midis zogjve të ndryshëm, si sorrat dhe robinët dhe veçanërisht lloje të ndryshme të mushkonjave Culex, të cilat janë të zakonshme në shumë vende.

Mushkonjat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar me nivele të larta të virusit. Mushkonjat e infektuara më pas e kalojnë virusin te zogjtë e tjerë duke u ushqyer me to.

Ndonjëherë, një mushkonjë e infektuar kafshon një njeri, kalë ose gjitarë të tjerë, duke transmetuar virusin tek ata. Megjithatë, këto kafshë nuk zhvillojnë një nivel mjaft të lartë të virusit në gjakun e tyre për të mbajtur ciklin – ato janë strehëza në rrugë pa krye.

Rrallëherë, virusi i Nilit Perëndimor transmetohet në mënyra të tjera, duke përfshirë ekspozimin aksidental në laborator, transfuzionin e gjakut ose transplantimin e organeve. Shumë rrallë, mund të transmetohet gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjatë ushqyerjes me gji.

Sa i rrezikshëm është virusi?

Rreth 80% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk kanë simptoma ose simptoma shumë të lehta. Por në rreth 20% të rasteve, njerëzit e infektuar me virusin e Nilit Perëndimor mund të zhvillojnë një grip të papritur me simptoma të tilla si temperaturë e lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, probleme stomaku si nauze, të vjella dhe diarre, skuqje dhe lodhje brenda. Simptomat shfaqen 2 deri në 14 ditë pas pickimit nga një mushkonjë që mbart Nilin Perëndimor.

Shumica e njerëzve shërohen nga kjo “ethet e Nilit Perëndimor”, por lodhja mund të zgjasë me javë deri dhe muaj.

Megjithatë, në rreth 1% të rasteve, virusi mund të pushtojë mbulesën e trurit, duke shkaktuar atë që quhet meningjiti. Në vetë trurin rezultati është encefaliti dhe në palcën kurrizore shkaktohet një sindromë e ngjashme me poliomielitin. Kur virusi pushton sistemin nervor në këtë mënyrë, quhet “sëmundja neuroinvazive e Nilit Perëndimor”.

Rreth 10% e rasteve të sëmundjes neuroinvazive të Nilit Perëndimor janë fatale, veçanërisht në rastet kur truri dhe palca kurrizore janë të infektuara drejtpërdrejt. Shumë të mbijetuar mbeten me paaftësi të përhershme neurologjike, të tilla si dobësi, çrregullime të lëvizjes ose probleme njohëse në shkallë të ndryshme.

Exit mobile version