Vetmia është një problem shumë i madh i njeriut. Ajo nuk e lejon njeriun të komunikojë si me veten edhe me tjetrin, e izolon dhe e bën të huaj edhe me njerëzit, që i do më shumë. Dhe natyrisht, rrënjët e vetmisë gjënden në fëmijëri, në mirëritjen e fëmijës.
Në shtresat e varfra, fëmijët vuajnë mangësitë që krijon mbijetesa, ndërsa në shtresat e kamura, fëmija vuan nga frika e përgjegjësisë që për fat nuk di as kuptimin kësaj fjale. Dhe kështu edhe pse është midis njerzve, në krahë të prindërve, shpesh, ai është i vetëm.
Sa herë prindër dhe gjyshër të acaruar që fëmija nuk u bindet, mërziten, i bërtasin deri e godasin, madje i thonë: “mos qaj se të vdiqa”. Dhe në këto çaste fëmija është më i vetëm se kurrë.
Por e keqja nuk ka mbaruar, gjyshërit, nënat e baballarët, vazhdojnë duke i thënë: – djalë i keq apo vajzë e keqe, kështu siç bën ti, nuk do të dojë njeri”.
Natyrisht që nuk është e lehtë të përballosh një fëmijë, pasi ka një energji shumë herë më të madhe se të të rriturit, por i rrituri duhet të dijë të kanalizojë nervozizmin dhe zemërimin etij e të qetësojë fëmijën.
Është ky qetësim, që shmang ndjenjën e vetmisë te fëmija dhe nuk lejon gjymtimin kur të vijë adoleshenca apo më vonë të jetë një i rritur i trishtuar, që ngecet në rrjetet e gjithçfarë dipendencash.
Nëse fëmija do të mbetet vetëm me fajet e paemërtuara, në shpirtin e tijë do të marrin rrugë turpi nga vetja, mosbesimi dhe vetmia, të cilat ndërtojnë muret e heshtjes, që pengojnë pikërisht komunikimin me tjetrin, duke filluar me nënën. LIRA GJIKA