Uncategorized

“Festa e Ullirit”, Veliaj: Krenarë që produktet ‘Made in Tirana’ tregtohen edhe në shtetet fqinjë

Dje në Petrelë u organizua “Festa e Ullirit”, një aktivitet që rikthehet për të dytin vit radhazi pranë rrënjëve shekullore të Petrelës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se këto lloj aktivitetesh i sjellin vetëm të mira qytetit, pasi qytetarët priren më shumë që të konsumojnë dhe të blejnë produktet vendase, si dhe të shijojnë një fundjavë ndryshe në fshat.

“Petrela është një lagje e Tiranës dhe përpara se të kërkojmë tregje të tjera, tregun më të madh e kemi këtu. Për të gjithë ata që kanë ardhur nga Tirona, para se të blejnë gjëra si jashtë shtetit, këtu i kemi të freskëta, nuk kanë vite të tëra nëpër magazinë, sapo janë vjelë nga një bahçe, sapo janë përpunuar nga një dorë e një amvise dhe sapo keni ndihmuar duke blerë “Made in Tirana”, “Made in Albania”, të gjithë burrat dhe gratë që jetojnë në jetën e ndershme në fshat”, tha Veliaj.

Në fund të fjalës, Veliaj shtoi se është krenar që produktet bio shqiptare nuk tregtohen vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet fqinjë.

“Vaji i ullirit është një nga ato krenaritë tona, po jo vetëm krenari folklorike, po edhe një krenari ekonomike. Shumica e njerëzve mendojnë se Italia bën vajin më të mirë, madje bën shumë dhe i çon gjithë botës. Por, nuk është e vërtetë! Italia nuk mbulon as 60% të nevojave të saj. Një pjesë të madhe e blen nga Spanja, fatmirësisht një pjesë po blihet tani nga Shqipëria. Do të thotë se tregjet rreth nesh janë aq të mëdha sa na del dhe na tepron për tregun tonë, madje po incetivohemi tani edhe për tregun jashtë. Edhe për të gjithë ata që kanë shkuar në restorante të ndryshme në botë, kanë parë vaj ulliri nga Shqipëria, ndjesia e krenarisë që një produkt nga bahçet tona ka përfunduar në disa nga vendet më të mira, më të njohura në botë, është vërtet një krenari e jashtëzakonshme”, përfundoi Veliaj.

Exit mobile version