Festat e fundvitit duket që kanë filluar të ndihen në komunitet. Sipas statistikave thuhet se 80% e kapaciteteve pritëse në restorante e bujtina janë tashmë të rezervuara nga qytetarë të cilët kanë zgjedhur ta festojnë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në këto njësi shërbimi.
Arben Sinojmeri, drejtor i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, thotë se ka një fluks në rritje të të huajve që kanë kanë zgjedhur Tiranën, Korçën e Sarandën për të festuar fundvitin.
“Sot në Shqipëri ka absolutisht më shumë se sa çdo vit tjetër në ditën e Krishtlindjeve të huaj që vijnë nga gjithë Europa. Kam prenotime të bollshme dhe realisht pata një kontakt më përpara me disa nga anëtarët tonë në zonat e Korçës, të Lezhës, të Shkodrës, të Sarandës. Ka një lum vizitorësh.”
Sinojmeri thotë se ndryshe nga vjet paketat kanë pësuar një rritje të lehtë, ku tashmë për një familje nata e Vitit të Ri do të kushtojë mesatarisht 170 euro.
“Ka brenda të gjitha shërbimet që ofron nata e Vitit të Ri apo nata e Krishtlindjeve me qëllim që të marrim një çmim të drejtë, real e të vërtetë dhe me një marzh fitimi të pranueshëm.”
Për përfaqësuesit e shoqatës së fundmi tek qytetarët shqiptarë vihet re një tendencë gjithmonë e në rritje për t’i festuar festat në restorante, ku përveç ushqimit tradicional paketat kanë shtuar edhe argëtimin jo vetëm për të rriturit, por edhe fëmijët.