“Një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka shtyrë qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por tani po gëzon një ringjallje ekonomike pjesërisht për shkak të një bumi turistik.“thuhet nga Financial Times.
Është prestigjiozja “Financial Times” që në një analizë të gjatë i bën jehonë bumit turistik të Shqipërisë. Për shkak të një rritjeje të ndjeshme të turistëve nga përtej Adriatikut, gazeta shkruan se Shqipëria po krahasohet tashmë me një Itali të vogël.
“Financial Times” citon se të tërhequr nga plazhet mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore drejt Shqipërisë u dyfishuan në qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për këtë kontribuoi edhe hapja e linjave me kosto të ulët në aeroportet shqiptare. “Financial Times” sjell shifrat e Eurostat sipas të cilave në 3-mujorin e parë të këtij viti turistët e huaj qëndruan 261 mijë netë në Shqipëri, me një rritje prej 152% se e njëjta periudhë e 2019-ës.
Prestigjiozja britanike i ka kushtuar një vëmendje të posaçme fluksit të turistëve italianë që sipas saj këtë verë kanë mbipopulluar plazhet shqiptare. Sipas të dhënave, udhëtimet e brendshme në Itali ranë me 20-30% në krahasim me vitin e kaluar.
Shkak sipas saj ishte rritja e fortë e çmimeve në plazhet italiane, por edhe kthimi i Shqipërisë në një trend, plazhet e së cilës mediat vendase po e krahasojnë me Karaibet e Evropës. Vetë mediat italiane raportojnë një rritje me 57% të turistëve italianë drejt Shqipërisë. ‘Financial Times’ përmend edhe vizitën private të kryeministres italiane Xhorxhia Meloni në Vlorë dhe takimin e saj me kryeministrin Rama.
Sipas gazetës së njohur turistët e huaj janë joshur nga kostot e ulëta në Shqipëri, nga akomodimi në hotel deri te restorantet dhe shezlonët. Ajo sjell në vëmendje se Agjencia Federale e Statistikave të Gjermanisë zbuloi së fundmi çmimet e restoranteve dhe hoteleve në Shqipëri ishin 56% më të ulëta se ato të Gjermanisë duke e bërë atë destinacionin më të lirë të pushimeve në Evropë.