Tejmbushen qendrat shëndetësore në zonat bregdetare. Ndryshe nga vitet e tjera këtë sezon turistik duket se janë marrë më shumë masat për shëndetin e turistëve. Numri i pushuesve që kërkojnë kujdes shëndetësor është rritur ndjeshëm në zonat bregdetare të Durrësit. Me rritjen e temperaturave, pushues dhe turistët e huaj që shfaqin problemet e para u drejtohen qendrave shëndetësore verore për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Arjana Zerja, mjeke në qendrën shëndetësore verore Plazh, thotë se rastet më të shpeshta janë ato me infeksion në rrugën respiratore, djegie nga dielli etj. Po, sa të informuar janë pushuesit për vendndodhjen e këtyre qendrave? Teksa temperaturat bëhen më përvëluese gjatë kësaj periudhe, mjekët apelojnë më shumë kujdes. Mesatarisht në ditë pranë 5 qendrave shëndetësore verore kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 100 pushues. Ndërsa sezonin e kaluar në Durrës morën kujdes shëndetësor mbi 20 mijë pushues.