Ekonomia shqiptare për 2023 do rritet me ritme më të vogla se sa ishte parashikuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë shqiptare në vitin 2023. Nga 2.5% që ishte pritshmëria në raportin e tetorit, në pasqyrën e fundit ekonomike globale, të publikuar Fondi vlerëson se ekonomia e vendit do të rritet me 2.2 %. Ekonomia vendase sipas Raportit pritet të përshpejtohet në 3.3% në vitin 2024 dhe parashikohet të bëhet përafërsisht në këto nivele deri në 2028-n, kur pritet të zgjerohet me 3.4%, pak a shumë në të njëjtat nivele me pritshmëritë në raportin e Tetorit. Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtetet që pritet të kenë ecurinë më të mirë ekonomike në 2023, me përkatësisht 3.5 dhe 3.2%. Serbia dhe Bosnje Hercegovina do të zgjerohen me 2%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut pritshmëritë janë mjaft pesimiste, me një rritje vetëm 1.4%. Për Shqipërinë, FMN parashikon që inflacioni të vijojë të mbetet i lartë edhe në vitin 2023, me një mesatare prej 5%, nga 6.7% që ishte mesatarja në vitin 2022. Inflacioni do të ulet në vitet në vijim, por sërish do mbetet i lartë, pasi për të zbritur në 3%, që është dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë, fondi parashikon vetëm në vitin 2028. FMN thotë në raportin global se rritja anemike, që është e pranishme në të gjithë globin lidhet me shtrëngimin e politikës monetare me synim rënien e inflacionit, që ka përkeqësuar kushtet financiare. Edhe inflacioni, ndonëse në ulje, po ngadalësohet më pak sesa pritej. Rreziqet në të ardhmen janë shtuar, pasi stresi i sistemit financiar mund të përhapet, duke dobësuar ekonominë reale.