Aktualitet

Gruaja e paqes në Botë/ Sot 8 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Mbarë bota përkujton 8 vjetorin e shenjtërimit të humanistes së shquar Nënë Tereza.

8 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore.

Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha ‘u lumturua’ në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II.

Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Në këtë ditë të shënuar, Nënë Tereza përkujtohet nga krerët më të lartë të shtetit dhe politikës. I pari që ndau një reagim ishte kryeministri Edi Rama, që e cilëson Nënë Terezën si gruaja e paqes në botë.

“Mirëmëngjesi dhe në këtë ditë të shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Edhe Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar Nënë Terezën në 8 vjetorin e shenjtërimit të saj.

Në një postim në Facebook, Begaj shkruan se Nëna Tereza është shembulli i fuqisë së shpirtit dhe besimit, që jetën ia kushtoi të vuajturve.

“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve. Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli këtë mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Sot, më 5 Shtator, përkujtojmë Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, një emër që simbolizon dhembshurinë dhe altruizmin. Trashëgimia e saj është një dritë udhëheqëse për të gjithë ne”, shkruan Veliaj.

Exit mobile version