Aktualitet

Importet e cigareve po ndjekin ciklin e akcizës, rriten në muajt e fundit të vitit, pritet shtrenjtim në janar

Që kur qeveria miratoi një kalendar për rritjen e akcizës të cigareve, importet po ndjekin një cikël ndryshe, ato janë më të ulëta në fillim të vitit, teksa nisin të rriten në 6-mujorin e dytë.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se në 10-mujor importet e cigareve arritën në 2665 tonë me një rritje vjetore 3.8 për qind. Burimet nga tregu pohuan se, rritja e importeve në Shqipëri këtë vit u nxit disi nga turizmi.

Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm importet e cigareve ishin mbi mesataren në muajt korrik, shtator dhe tetor. Aktorët e tregut presin një rritje më të madhe të importeve në dy muajt e fundit të vitit për të shmangur zhdoganimet me akcizë të rritur në janar.

Pavarësisht këtij fakti, çmimet e cigareve rriten nga 1 janari.

Në janarin e vitit 2024 niveli i akcizës do të jetë 7250 lekë/1000 fije nga 7000/1000 fije që është aktualisht. Kjo pritet të sjellë një rritje të çmimeve në pakicë deri në 5 lekë.

Cigarja është një ndër artikujt më të importuar në vend dhe nga kontribuuesit kryesorë në të ardhura i buxhetit të shtetit.

Sakaq konsumi i cigareve dekadën e fundit ka qenë nën presionin e masave ligjore që frenuan shitjet dhe pakësimi i popullsisë së re në moshë si konsumatorët kryesorë.

Rreth 8 vite më parë hyri në fuqi një ligj që ndaloi konsumin e cigares në ambientet e mbyllura. Në anketat e mëvonshme që zhvilloi instituti i Shëndetit publik gjeti se, konsumi në popullatë ishte ulur si rrjedhojë i këtyre masave.

Gjithsesi Shqipëria bën pjesë në vendet ku kontrabanda dhe evazioni fiskal vijojnë të jenë të larta. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në raportin e monitorimit për vitin 2018 gjeti se 29.3 për qind e popullsisë në Shqipëri mbi moshën 15 vjeç është duhanpirëse që korrespondon me rreth 600 mijë persona.

Duke iu referuar konsumit mesatar një person tymos në ditë 23.2 cigare në ditë ose ekuivalentin e cigares në duhan të hapur. Sipas këtij studimi Shqiptarët konsumojnë rreth 4’900 ton duhan në vit. Por, në vitin 2018 u zhdoganuan dhe u mblodh akcizë përafërsisht për 3000 ton./Monitor

Exit mobile version