Aktualitet

INSTAT: Rriten çmimet e produkteve ushqimore

Çmimet e produkteve ushqimore në raftet e marketeve janë rritur sërish. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se shporta e konsumit të qytetarëve në muajin shtator është rritur me një vlerë prej 4.1%, duke u rritur me 0.1 pikë% nga muaji gusht.

Trendi i cili dukej se po ulej po ndryshon tashmë kahun e drejtimit.

Ndryshimi në çmime është pasqyruar më së shumti për produktet ushqimore, të pasuara me qiratë si dhe shërbimet arsimore.

Krahasuar me një vit më parë, kategoria e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike reflektoi një rritje të çmimeve me 7,9% ku brenda sektorit, çmimet e zarzavateve dhe patatet u rriten me 24.1%.

Rikthimi i TVSH-së në arsim gjithashtu, ka ndikuar në shtrejtimin e tarifës në arsimin privat. Ndryshimi vjetor sipas të dhënave i takon vlerës 2,3% për shërbime arsimore.

Vijojnë të mbeten të larta çmimet e apartamenteve me qira, ku ndryshimi vjetor për kategorinë që përmbledh strehimin, ujin dhe energjinë, është rritur me 2.1%.

Ndërkohë në Europë, çmimet kanë vijuar në rënie, për shkak të stabilizimit të çmimeve të energjisë.

Në përgjithësi, trendi i çmimeve në Shqipëri tregon një ndikim të madh nga sektori ushqimor, karburanti, qiraja dhe arsimi, kategori këto të cilat ngushtojnë ndjeshëm buxhetin e shtëpive shqiptare.

Exit mobile version