Aktualitet

Ja 10 restorantet më të famshme në Shqipëri,Prestigjiozja “Gambero Rosso”, këshilla për turistët

Pas thirrjeve që mediat prestigjioze si ‘La Repubblica’, ‘La Stampa’ apo ‘Sky’ iu bënë italianëve për të përjetuar në plazhet e Shqipërisë, ndjesinë e të qenit në Maldive me çmime tepër të ulëta, revista e famshme ‘Gambero Rosso’ që i dedikohet kulinarisë iu bën atyre një propozim ndryshe duke i renditur për turistët 10 restorantet më të mira në Shqipëri.

“Të vijnë tani në Shqipëri jo vetëm për plazhet, por edhe për të shijuar gamën e gjerë të gatimeve të shijshme në restorantet e larmishëm të Shqipërisë nga tradicionalët deri tek modernët”.

Në krye të listës së gjatë të restoranteve që rekomandohen nga ‘Gambero Rosso’ është i famshmi ‘Padam’ në qendër të Tiranës. Në përshkrimin për këtë restorant, theksohet se shef kuzhine është Fundim Gjepali, që drejton edhe restorantin prestigjioz ‘Antico Arco’ në Romë.

Gjepali ka krijuar një menu të shijshme dhe të rafinuar me pjata që duken si vepra të vogla arti. Ndër të tjera, revista prestigjioze italiane veçon vezën me tartuf, salcën e kosit me brokoli dhe akulloren e bërë në shtëpi me biskotë të shtypur.

Kuzhinën e papërsëritshme të këtij restoranti e kanë shijuar këto kohë edhe njerëz të famshëm si miliarderi nga Kina, Jack Ma, vajzat e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka e Tiffani.

Për Tiranën përmenden restorantet e ‘Mullixhiu’, ‘Gzona’ dhe ‘Ferma Fustanella’. Artikulli i Franceska Masotit rendit dhe ‘Mrizin e Zanave’ në Fishtë të Lezhës, duke e cilësuar si një tempull të gastronomisë shqiptare, i lindur nga një ide e vëllezërve Prenga dhe është një ndalesë thelbësore gjatë një udhëtimi në Shqipëri.

Në listën e rekomandimeve janë edhe restorante të modelit agroturizëm si ‘Tradita’ e ‘Alpeta Agroturizëm & Veraria’ në Berat, Vila Përmeti, Taverna ‘Vasili’ në Korçë, ‘Bujari’ në Vlorë.

Exit mobile version