Aktualitet

Ja kush mund të aplikojë për mësues të gjuhës shqipe në diasporë,

Arsimtarët që do të japin mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, do të përzgjidhen sipas një procedure të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Udhëzimi i përbashkët i Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përcaktuar procedurën përzgjedhëse të tyre, si dhe autorizimit të lidhjes së kontratës individuale me arsimtarin. Këto procedura propozohen nga dy ministritë për organizimin e procesit mësimor në një vend, me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërkombëtare.

Sipas udhëzimit, hapja e thirrjes për arsimtarë për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në shtetin e përcaktuar realizohet nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën. Procesi i aplikimit zhvillohet dhe monitorohet përmes faqes zyrtare të hapur nga misioni diplomatik i shtetit të përcaktuar. Thirrja përmban kriteret e nevojshme që kandidati duhet të plotësojë për të qenë arsimtar i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në diasporë, dokumentet që duhet të dorëzojnë, si dhe afatet e aplikimit. Thirrja për aplikime është e përvitshme.

Kush mund të aplikojë?

Kriteret dhe dokumentet që dorëzojnë kandidatët për arsimtarë janë përcaktuar më herët në VKM nr. 104, datë 28.2.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve për krijimin e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare dhe dhënien e certifikatës për nxënësit në diasporë”.

Ministria e Arsimit krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë, i cili përmban listën e mësuesve, të cilët kanë të drejtë të japin mësim dhe në të përfshihen ata, të cilët janë:

– të diplomuar në fushën e mësuesisë, në institucionet e arsimit të lartë. Përparësi kanë mësuesit e diplomuar në degët gjuhë shqipe dhe letërsi, parashkollor, arsim fillor, histori, gjeografi, etnologji, muzikë dhe arte të kulturës shqiptare;

-që janë të licencuar si mësues, sipas legjislacionit të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës apo vendeve ku zhvillohet programi i mësimit të gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në diasporë;

– të pranuar si mësues të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në vendet respektive.

Dokumentacioni i aplikimeve përcillet nga misioni diplomatik në Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit Parauniversitar (ASCAP) për t’u vlerësuar. Përzgjedhja bëhet nga Ministria e Jashtme përmes misionit diplomatik të përfshirë në proces, duke u bazuar në nevojat për arsimtarë të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në shtetin ku do të zhvillohet mësimi.

Kurrikula e mësimdhënies së bashku me udhëzuesit janë miratuar bashkërisht nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Lidhja e kontratës individuale me arsimtarin në diasporë realizohet nga kreu i misionit diplomatik i akredituar në vendin ku ndodhet diaspora dhe ku është hapur thirrja. Thirrja për vitin shkollor 2024– 2025 dhe në vijim bëhet për Greqinë. Pagesa e arsimtarit përllogaritet bazuar në numrin e orëve mësimore mujore, të përcaktuara në kontratën e lidhur mes palëve, referuar pagës së punonjësit të personelit administrativo-teknik vendës në misionin diplomatik ku ndodhet diaspora.

Monitorimi i procesit mësimor do të realizohet nga strukturat e misionit diplomatik të akredituar në vendin ku ndodhet diaspora. 

Exit mobile version