Aktualitet

Jo më “Pallati me shigjeta” – Do të përditësohet regjistri i adresave, bashkëpunim me Google Maps

“Rruga Siri Kodra nuk mund të jetë adresë. Kjo ka nevojë të ketë dhe ndërtesën, dhe hyrjen dhe apartamentin dhe kodin postar”. 

Për të mos pasur më referenca si rruga “Siri Kodra” e “Pallati me Shigjeta” në Tiranë apo orientime të ndryshme në qytete e fshatra të tjerë, por adresa të sakta, si fillim do të përditësohet Regjistri Kombëtar i Adresave, njohur si “Adresari”.

Vangjysh Stavro, drejtor i Gjendjes Civile, shprehet për A2 CNN: “Në planin tonë më optimist është që në fillim të prillit regjistri të jetë funksional”.

Më pas, me anë të algoritmeve që teknologjia mundëson, adresa e rrugës, bllokut të banimit, numrit të apartamentit dhe të dhënat e tjera plotësuese të adresave do të shkrihen në atë që do të njihet si “kod unik”: “Do të identifikohet edhe më saktë se ku banon qytetari duke përdorin kodin dhe standardin e ri të adresave”.

Kjo do të vlejë si për adresat e banesave, ashtu edhe për bizneset e ndërtesat publike. Në këtë drejtim, qeveria do të bashkëpunojë dhe me platformat e sistemeve të adresave Google Maps apo Tom-Tom. Kjo pasi në Parlament të miratohen ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Sistemin e Adresave.”

Ne synojmë që të nisim bisedimet që këtë informacion publik ta marrin nga Regjistri Kombëtar i Adresave që edhe ata të përditësojnë hartat e tyre”, tha Stavro.

Por, kjo nuk është hera e parë që qeveria njofton përditësimin e regjistrit apo gjenerimin e “kodit unik”. Pasi janë hedhur për konsultim publik, nismat ligjore kanë mbetur vetëm në letër. 

Këtë herë është ndryshe. Duam të ndërtojmë një sistem që punon në disa plane të ndryshme dhe do e realizojmë”, garanton Stavro.

Veç shqiptarëve, përditësimi i Regjistrit Kombëtar të Adresave pritet të ndihmojë edhe turistët e huaj. Gjithashtu, “kodi unik i banesave” do të ndihmojë edhe sistemin e drejtësisë. Shpesh, Prokuroria e Posaçme SPAK, pasi ka ngritur akuzat, nuk arrin dot të gjejë se ku banon i pandehuri.

Exit mobile version