Kredia e re për ekonominë shënoi përsëri një rritje të fortë për muajin gusht.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia gjatë gushtit arriti në 41.4 miliardë lekë, vlera më e lartë mujore e regjistruar deri tani për vitin 2024. Kredia e re u rrit me pothuajse 42% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Për të gjithë 8-mujorin 2024, kredia e re e dhënë për ekonominë shqiptare ka arritur vlerën e 252.4 miliardë lekëve, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shtysa për rritjen e kreditimit këtë vit po vjen sidomos nga segmenti i biznesit. Për muajin gusht, kredia e re për biznesin arriti vlerën e 33.5 miliardë lekëve, gjithashtu më e larta për këtë vit dhe 55% më shumë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Për 8-mujorin 2024, sektori bankar ka disbursuar gjithsej 183 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, me një rritje vjetore prej 47%. Këtë vit bankar po shfaqin interes të shtuar veçanërisht për kreditimin e ndërmarrjeve të mëdha, duke përfshirë dhënien e kredive koorporative në vlera mjaft të larta. Momenti pozitiv i ekonomisë dhe gjendja e shëndetshme e bilanceve po sjell një rritje të oreksit për rrezik të sektorit bankar në vend.
Në rritje, por me ritme më të ngadalta, paraqitet edhe kreditimi i individëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin gusht bankat dhanë 7.9 miliardë lekë kredi për individët, me një rritje prej 4.5% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Për të gjithë 8-mujorin, kredia e re për individë preku vlerën e 69.2 miliardë lekëve, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditimi i individëve vazhdon të shfaqë ecuri pozitive, si në financimin e blerjes së pasurive të paluajtshme, ashtu edhe të konsumit.
Muaji gusht ka sjellë një rritje edhe më të fortë në portofolin e kredisë të matur si tepricë. Vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 812 miliardë lekë, me një rritje prej 14 miliardë lekësh krahasuar me korrikun. Me bazë vjetore, kredia ngelet në nivele dyshifrore, me 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e portofolit po mbështetet kryesisht te segmenti i bizneseve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 13%.
Ndërkohë, edhe portofoli i kredisë për individë është në rritje të qëndrueshme, me 8.5% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar, Banka e Shqipërisë shprehu shqetësimin për rritjen e shpejtë të kreditimit të ekonomisë, veçanërisht në segmentin e kredisë për blerje të pasurive të paluajtshme, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët.
Për këtë qëllim, në muajin qershor u njoftua edhe aplikimi për herë të parë i një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit (duke filluar nga mesi i vitit 2025). Megjithatë, për momentin tregu nuk po shfaq shumë shqetësim ndaj këtyre sinjaleve dhe kreditimi vazhdon të rritet me ritme të shpejta.