Aktualitet

Kredia e re për ndërtimin arrin vlerën më të lartë në të paktën 8 vjet

Kredia për sektorin e ndërtimit i është kthyer rritjes këtë vit dhe ka prekur nivelet më të larta për të paktën tetë vitet e fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për shtatë muajt e parë të vitit, vlera e kredisë së re për këtë sektor arriti në 28.4 miliardë lekë, 39% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, portofoli aktiv i kredisë ka arritur vlerën e rreth 76 miliardë lekëve, në rritje me 7% krahasuar me një vit më parë.

Shifrat rekord të kredisë për ndërtimin po ndjekin ciklin pozitiv të sektorit, që në vitet e fundit ka qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Gjithashtu, ndërtimi duket të jetë një ndër sektorët që po mbështet rritjen e shpejtë të kreditimit të ekonomisë gjatë këtij viti.

Megjithatë, në një masë të konsiderueshme kjo rritje mund të jetë e lidhur edhe me financimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, të llojit të partneritetit publik-privat.

Falë një performance financiare mjaft pozitive në vitet e fundit, sektori bankar e ka shtuar oreksin për rrezik dhe po shfaqet i gatshëm edhe për ekspozime të mëdha në huatë korporative.

Për sa i takon ndërtimeve rezidenciale dhe atyre të pasurive të paluajtshme në përgjithësi sektori bankar, kredia në vitet e fundit ka përjetuar një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet.

Vitin e kaluar kreditimi i këtij sektori pësoi një lloj frenimi, të lidhur edhe me ciklin e rritjes së normave të interesit dhe ngadalësimin e rritjes së çmimeve. Megjithatë, këtë vit duket se sipërmarrja dhe sektori bankar janë përfshirë nga një valë e re optimizmi, që duket qartë nga rritja me ritme shumë të larta të kreditimit.

Rritja e shpejtë e kredisë, megjithatë, duket se po e shqetëson Bankën e Shqipërisë. Në Deklaratën e fundit të Stabilitetit Financiar, ditën e mërkurë, këshilli Mbikëqyrës theksonte se cikli i rritjes së shpejtë të kredisë duhet të ngadalësohet. Për këtë qëllim, në muajin qershor Guvernatori vendosi edhe aplikimin për herë të parë të një shtese kundërckilike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Sipas të dhënave nga INSTAT, oferta e ndërtimeve vazhdon të jetë e lartë. Numri i lejeve të ndërtimit ka pësuar rënie dhe për gjashtë muaj janë dhënë gjithsej 938 leje ndërtimi, 29% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, sipërfaqja totale e lejeve të miratuara ka shënuar rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e ndërtimeve të reja, bazuar në të dhënat e lejeve, gjithashtu është rritur, me 4.2% më shumë krahasuar me një vit më parë./Monitor

Exit mobile version