Këtë të enjte, policia arrestoi një të mitur si autor të tritolvënies, ndodhur një javë më parë në një fasoneri këpucësh, në zonën e Freskut, në Tiranë.
Është 16-vjeç, por i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
I mituri është person me precedentë penalë, i arrestuar edhe pak muaj më parë për tritolvënie në një banesë në Valias.
Në atë kohë, gjykata e liroi nga qelia me masë më të butë, për shkak të moshës.
16-vjeçari banon në zonën e Kamzës dhe për policinë njihet si problematik, i dyshuar për vjedhje dhe konflikte me persona të tjerë.
Pasi u arrestua, ai u tha hetuesve se ishte porositur nga 46-vjeçari Edmond Arapi që të vendoste tritolin në derën e fasonerisë të një pronari italian, kundrejt shumës 100 mijë lekë.
Pas arrestimit, policia i sekuestroi të miturit veshjet e përdorura në ngjarje, biçikletën me të cilën u largua, e dyshuar e vjedhur më parë, si dhe një mekanizëm shkrehës arme.
Pas dëshmisë së tij, policia arrestoi edhe porositësin Edmond Arapin. 46-vjeçari u kap në Himarë, ku ishte larguar pas shpërthimit me tritol. Ai ka mohuar të ketë porositur vendosjen e tritolit.
Pronari italian, Roberto Del Gaido, nuk është marrë ende në pyetje për të zbuluar konfliktet që ka me Arapin, pasi është larguar në Itali.
Policia ka dyshime se Edmond Arapi i kishte vënë gjobë prej 100 mijë euro italianit Roberto Del Gaido dhe kërcënuar disa herë që, nëse nuk do ta paguante këtë shumë, do të ishte i rrezikuar.
Por italiani kishte refuzuar të paguante. Dyshohet që gjoba të jetë vënë për shkak të ndonjë konflikti, që italiani dhe 46-vjeçari të kishin për fasonerinë.
Ky nuk është rasti i parë që të miturit përfshihen në paligjshmëri. Referuar të dhënave, gjatë vitit 2022, numri i krimeve të kryera nga të miturit ka qenë 1470, ndërsa janë arrestuar 50 të mitur për vepra të ndryshme penale dhe të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë.