Ekonomi

Kriza mbërthen fasonin; Dolce & Gabana”, “Armani”, “Guci” ulin porositë

Eksportet e veshjeve dhe këpucëve pësuan rënie në sasi me rreth 6% në tremujorin e parë të vitit 2023, teksa fabrikat lajmërojnë muaj të vështirë në vijim. Në tregun e brendshëm, faktorët që po ndikojnë negativisht janë rritja e pagës minimale me 33% brenda një viti, shtimi i kostove të lëndëve të para, nënçmimi i euros me mbi 6%. Faktorët e jashtëm që po ndikojnë negativisht sektorin janë rritja e stoqeve në magazinat europiane nga dimri i ngrohtë, kriza ekonomike që po frenon konsumin. Rritja e pasigurive nga lufta në Ukrainë dhe tërmeti në Turqi po e zhvendos prodhimin jashtë kontinentit. Pandemia ndryshoi sjelljen e konsumit dhe për herë të parë, markat e luksit po ulin porositë, ndryshe nga krizat e tjera.Në fund të vitit të kaluar, fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ishin optimiste për zgjerim të mëtejshëm më 2023. Që nga ajo kohë, kursi i ngjarjeve në tregun e brendshëm dhe të jashtëm ka ndryshuar aq shumë, saqë në vend të lulëzimit, po lind një krizë e re.

Problemet u reflektuan në tremujorin e parë, kur sasia e eksporteve të veshjeve dhe këpucëve ra me rreth 6%, teksa operatorët të tregut lajmëruan një periudhë të vështirë përpara dhe sidomos në 6-mujorin e dytë.

Në tregun e brendshëm, ndër faktorët që po ndikojnë negativisht janë rritja e pagës minimale me 25% brenda një viti, shtimi i kostove të lëndëve të para, nënçmimi i euros me mbi 6% brenda vitit dhe problemet që po krijohen shpesh në prodhim nga mungesa e punonjësve.

Faktorët e jashtëm që po ndikojnë negativisht në sektor lidhen me rritjen e stoqeve në magazinat europiane për sezonin e dimrit që vjen. Rritja e stokut erdhi për dy arsye kryesore, moti i ngrohtë gjatë dimrit të kaluar frenoi shitjet e këpucëve, kurse kriza e çmimeve të larta frenoi konsumin dhe porositë, thotë Flori Zekja, nga Shoqata Proeksport.

Tregu i modës në Europë po përballet me dinamika të reja. P.sh., në asnjë krizë të mëparshme si ajo e vitit 2008 dhe ajo e pandemisë më 2020 nuk ishte parë që kompanitë e luksit të ulnin porositë.

Përkundrazi në kohë krizash shtohet tendenca për të investuar në mallra luksi, megjithatë, kohët e fundit, është vënë re reduktim i fortë i porosive nga markat.

Ngjarjet pas luftës në Ukrainë, përveç çmimeve të larta, kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë, shumë klientë europianë po kërkojnë të zhvendosin prodhimin në vende si Uzbekistani, India dhe Afrika e Veriut.

Fabrikat shqiptare të veshjeve dhe këpucëve ishin në një dekadë lulëzimi dhe pothuajse gjysma e tyre kishin kaluar në cikël të mbyllur prodhimi. Por, në tre muajt e fundit, duket se gjithçka është përmbysur dhe industria ka hyrë në një kthesë të vështirë.

Gjergj Leqejza, i cili drejton kompaninë “Shqipëria Tricot”, pohoi se klima e biznesit është vështirësuar dukshëm këtë vit prej rritjes së pagës minimale dhe humbjeve që po krijon kursi i këmbimit. Vitin e kaluar, 1 euro kushtoi mesatarisht 118.4 lekë, por këto ditë ajo po shitet rreth 111 lekë.

Më 1 prill hyri në fuqi edhe paga minimale në nivelin 40 mijë lekë, nga 30 mijë në fillim të vitit 2022. Pagat zënë 60-80% të kostos në fabrika dhe përcjellja e tyre në çmimet finale po largon klientët nga Shqipëria.

Burimi: INSTAT

Markat e luksit po ulin porositë

Shumë fabrika në vendin tonë prodhojnë veshje dhe këpucë për markat e luksit si “Dolce & Gabana”, “Armani”, “Guci”, “Tod’s” etj., por ngjarjet pas luftës në Ukrainë, ndryshe nga kriza e mëparshme, kanë ulur porositë në këtë segment.

Kjo është një sjellje e paprecedentë në krizat e kaluara, thotë z. Zekja nga Shoqata Pro-Eksport. Fabrikat shqiptare po tentonin që të çonin prodhimin në nivelin e mesëm ose më të lartë, por tërheqja e klientëve të mëdhenj i ka çoroditur. Prodhimi për kompanitë e luksit siguron më shumë të ardhura, pavarësisht sasive më të kufizuara të prodhimit, por ndërkohë është një problem i ri për fabrikat shqiptare.

Eva Laro, e cila zotëron Fabrikën ProDyn, aktualisht po prodhon një sasi të kufizuar këpucësh për markën e luksit “Prada”, por pjesa dërmuese e prodhimit shkon për nivelin e mesëm të konsumit si “Clark” dhe “Josef Seibel”. Transferimi i prodhimit për një nivel të lartë të konsumit ka para sfida të vështira dhe rrezikon t’i kthejë disa fabrika që kanë mbyllur ciklin sërish në fason.

P.sh. nëse për një këpucë të nivelit të mesëm, kompanitë po udhëhiqnin të gjitha proceset, duke siguruar produktin “Made in Albania”, marka të luksit, të tilla si “Prada” sërish kërkojnë vetëm disa procese prodhimi në Shqipëri.

“Unë nuk dua ta kthej fabrikën në fason për nivelin e lartë, por është një trazicion i vështirë. Ndaj, për momentin, po punoj vetëm me dy linja. Fabrika që zhvillon produktet dhe blen materialet është në Itali dhe po aty i montojnë. Nuk më duket zgjidhje afatgjatë. Të paktën, jo në vizionin tim”, tha zonja Laro.

Industria shqiptare e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka qenë e vonuar për të kaluar në cikle të reja të prodhimit dhe në zinxhirët e lartë të vlerës. Përqendrimi i punës me klientët italianë e lanë industrinë në një “dembelizëm” letargjik dhe tani, gati një e katërta e industrisë nuk është në gjendje t’i zhvillojë vetë produktet e reja dhe për prodhimin e markave të luksit, as që bëhet fjalë.

Një vrojtim i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) tregoi se 21% e fabrikave shqiptare kanë vështirësi me stilet e reja, por shumica 75%, nuk kanë asnjë problem me përshtatjen ndaj stileve të reja.

Më shumë se një e katërta e fabrikave (26%) janë në gjendje t’i dizajnojnë vetë produktet.

Në fillim të vitit 2022, prodhuesit e tekstilit, veshjeve, lëkurës dhe këpucëve në Shqipëri po përballeshin me rritje deri në 200% si rrjedhojë e prishjes së zinxhirëve të furnizimit nga Pandemia Covid-19. Rritja e kostove të transportit, gjatë vitit 2021, dhe pasiguritë në Kinë dhe Azi nga përhapja e koronavirusit më 2020 nxitën shumë klientë europianë të kthenin prodhimin në Shqipëri.

Emra të tillë “Clarks”, “Geox” dhe “Dolce Gabbana” shtuan porositë e tyre me Shqipërinë, por për shkak të kapaciteteve të kufizuara në punonjës, ndërmarrjet shqiptare nuk ishin në gjendje të përballonin vëllime të tilla.

Kërkesa e lartë e vitit e kaluar i motivoi shumë ndërmarrje të investonin në teknologji, por zhvillimet e kohëve të fundit kanë kthyer përmbys situatën. Intensiteti i ngjarjeve jo të favorshme në 3 muajt e fundit, si rritja e pagës minimale, nënçmimi i Euros dhe ulja e porosive nga jashtë i ka bërë pesimiste fabrikat.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Dimri i ngrohtë rrit stokun në magazina, ulen porositë në Shqipëri

Dimri i ngrohtë i vitit të kaluar ka ndikuar në shitje më të ulëta në tregjet e pakicës të veshjeve të dimrit dhe këpucëve. Magazinat në Europë kanë stoqe të mëdha, duke ndikuar në uljen e porosive për sezonin e ardhshëm në Shqipëri, thotë z. Zekja nga Shoqata e Pro-Eksport.

Temperaturat e larta që karakterizuan Europën dhe sidomos Italinë, deri në fillim të janarit 2023, pritet të ndikojë negativisht porositë në dimrin e ardhshëm. Me temperatura që shkuan mbi 25 gradë në Krishtlindje askush nuk do të donte të blinte pallto e xhupa të rëndë dhe këpucë të stinës, nëse nuk dinin se kur do t’i vishnin.

Zonja Eva Laro, e cila drejton fabrikën Prodyn, tha se shitësit e pakicës janë plot me stoqe, çfarë do të ndikojë në një kërkesë më të ulët për të prodhuar veshje të reja për sezonin e dimrit të ardhshëm.

Ngrohja e motit, që është kthyer në shqetësim për shumë sektorë të jetës, sidomos për ushqimin, është një problem edhe për biznesin e veshjeve. Një situatë e ngjashme ishte 5 vite më parë, kur dimri i ngrohtë rriti stoqet e këpucëve, duke sjellë rënie të porosive në vitin pasardhës. Situata pritet të përsëritet këtë vit dhe do të ushtrojë presion për porositë në fabrikat shqiptare.

Ngjarjet ekstreme të motit gjithashtu po bëhen shkak për reduktimin e prodhimit të lëndës së parë, si pambuku dhe leshi merino. Kompania Merino e Zelandës së Re, e cila mbarështon 19,000 dele Merino në 12,000 hektarë tokë, është furnizues afatgjatë i markës “Icebreaker”, u shkatërrua tërësisht nga përmbytjet e vitit të kaluar.

Modelet e motit kanë ndryshuar, pasi vera është më e thatë dhe reshjet janë të përqendruara.

Toka e thatë nuk mund të mbajë aq shumë kafshë, të cilat përveçse janë baza e ushqimit për njerëzit, janë gjithashtu baza e lëndës së parë për tekstilet dhe lëkurët e këpucëve. Markat e veshjeve po krijojnë partneritete afatgjata me fermat, duke mbështetur kultivuesit me investimet e nevojshme, duke premtuar se do të kryejnë blerje afatgjata për një numër të caktuar vitesh.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Post-Covid dhe kriza ekonomike po ul kërkesën për veshje dhe këpucë

Anketat për veshjet e këpucët treguan se kërkesa për vitin 2023 do të jetë të paktën 2%% më e ulët. Kompanitë e mëdha europiane të modës kanë raportuar tkurrje të shitjeve në muajt e parë dhe anketat e fundit sugjerojnë se rënia do të jetë rreth 7% këtë vit.

Fabrikat pohojnë se efektet e krizës ekonomike nisën fillimisht në tregjet e pakicës dhe tani po reflektohen edhe në porosi më të ulëta për fabrikat. Operatorët e tregut pohojnë se nga kriza janë më të prekura këpucët dhe veshjet intimo.

Gjithmonë kur ka kriza, njerëzit rezervohen të blejnë më shumë këpucë dhe veshje intime.

Gjergj Leqejza, i cili drejton “Shqipëria Tricot”, kryesisht veshje intime për marka të njohura si “Triumph”, tha se për herë të parë që nga viti 1995 pritet të ketë probleme. “Alta Moda”, grupi italian i promocionit të modës italiane jashtë vendit, po kalon një periudhë të vështirë dhe në një situatë të ngjashme janë edhe operatorët e tjerë.

Z.Leqejza tha sa pandemia Covid-19 ka sjellë riformatim të ri të konsumit. Njerëzit po vlerësojnë gjëra thelbësore të jetës si shëndeti, udhëtimet më shumë se sa veshjet.

Rritja në rekorde e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve po redukton fuqinë blerëse për veshje. Ndërgjegjësimi ndaj klimës po nxit gjithnjë e më shumë konsumatorë nga vende të zhvilluara të mos blejnë artikuj që nuk janë në përputhje me mjedisin, teksa kërkesa për veshje të përdorura po shënon rritje të shpejtë.

Të dhënat tregojnë se rishitjet po lulëzojë globalisht, pasi gjithnjë e më shumë shitës dhe konsumatorë po orientohen nga modelet qarkulluese të biznesit. Çështjet e klimës kanë rritur ndërgjegjësimin për potencialin e rishitjes, me qëllim që të reduktohet ndikimi i prodhimit të veshjeve të reja në mjedis.

Sipas një raporti global, tregu i rrobave të përdorura, “secondhand” shënoi rritje me 28% në vitin 2022, duke arritur vlerën rreth 350 milionë dollarë. Në vitin 2024, parashikohet që tregu i veshjeve të përdorura të zërë 10% të tregut global të veshjeve.

Rritja më e shpejtë po ndodh në tregun amerikan, ku tregu i veshjeve të përdorura do të dyfishohet deri në vitin 2027.

Anketa gjeti se një në tre konsumatorë kishin blerë veshje të përdorura në vitin e fundit dhe 83% e të rinjve blinin në këto njësi.

Lufta në Ukrainë dhe tërmeti në Turqi rrisin pasiguritë në Europë

Situata e re në Europë dhe sidomos pas luftës në Ukrainë e ka vështirësuar klimën e biznesit në kontinent dhe ka rritur së tepërmi pasiguritë në Rajonin e Ballkanit, i cili ka qenë gjithnjë i trazuar politikisht.

Frika se konflikti në Ukrainë mund të përhapet më tej ka bërë që klientë perëndimorë të bëjnë llogari të reja dhe të zhvendosin prodhimin në zona më të sigurta, thotë z. Zekja. Lufta në Ukrainë i trazoi ujërat fillimisht.

Me popullsi 40 milionë banorë, Ukraina ishte fabrika e prodhimit të veshjeve për tregun gjerman dhe shumë vende të Europës së Veriut. Lufta çoi në zhvendosjen e shpejtë të prodhimit nga shumë zona.

Kur filloi lufta në Ukrainë, Shqipëria kishte kërkesë të lartë për punë, por mundësitë e kufizuara të fabrikave tona nuk sollën përfitime. Klientët europianë po vrapojnë në tregje më të paqta si India dhe Afrika e Veriut.

Gjithashtu tërmeti i madh në Turqi në shkurtin e këtij viti shkatërroi një pjesë të madhe të industrisë tekstilit. Zona e dëmtuar në Kahramanmaraş ishte një klaster për prodhimin e metrazheve të tekstilit. Shkatërrimi i zonës i ka dëmtuar shumë prodhuesit, të cilët po rrisin përpjekjet për të zhvendosur prodhimin nga Europa sërish.Monitor

Exit mobile version