Detaje të reja dhe tronditëse janë zbardhur nga ngjarja në fshatin Fratar të Mallakastrës, ku një 16-vjeçare solli në jetë foshnjën e saj, ndërkohë babai i fëmijës një 31-vjeçar u shpall në kërkim.
Lidhur me këtë ngjarje e mitura ka deklaruar para oficerëve të policisë se me 31-vjeçarin ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë, fryt nga e cila është dhe foshnja që solli në jetë tre ditë më parë. Gjatë dëshmisë vajza është shoqëruar nga e ëma e cila ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të shtatzanisë së vajzës.
Në deklarimet e para nëna e të miturës ka thënë që nuk do e mbajë foshnjën, madje ka kërkuar të largohen bashkë me vajzën dhe të lënë vogëlushen e porsalindur në maternitet.
Mirëpo, burime për mediat bëjnë me dije se ka qenë stafi mjekësor të cilët i kanë kërkuar të presin për të dërguar foshnjën në një qendër të posaçme për foshnjat e porsalindura më Tiranë.
E mitura jeton me të ëmën, vëllain 19 vjeç dhe gjyshin në Fratar të Mallakastrës ndërsa i ati është emigrant në Greqi. E mitura solli në jetë foshnjën e saj tre ditë më parë në qendrën shëndetësore të fshatit e asistuar nga infermierja dhe mjeku. Mirëpo, për shkak të problemeve shëndetësore ajo u dërgua më pas, së bashku me foshnjën e porsalindur, në maternitetin e Fierit.
Ka qenë vetë e reja ajo e cila u ka treguar efektivëve të Policisë identitetin dhe foton e babait të fëmijës, por nuk ka dhënë më tepër detaje duke kërkuar kohë për t’u qetësuar.
Pas deklaratës së 16-vjeçares policia shpalli në kërkim 31-vjeçarin mbi të cilin rëndon akuza: “marrëdhënie seksuale me të mitur”.
“Komisariati i Policisë Mallakastër shpalli në kërkim shtetasin B. H., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase 16 vjeçe, e cila ka lindur dhe ka deklaruar se babai i foshnjës është shtetasi B. H. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia më herët.