Aktualitet

Manastirliu inspekton shkollën në Bicaj të Kukësit: 1.2 miliard Lekë për shkolla të reja në 2024

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka parë nga afër punimet për rindërtimin e shkollës së mesme “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit, një investim i shumëpritur për komunitetin e kësaj zone, i mundësuar nga MAS në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit.

Gjatë vizitës në Bicaj, bashkë me kryetarin e bashkisë së Kukësit Albert Halilaj dhe drejtuesin politik të PS-së në këtë qark, Pandeli Majko, Ministrja Manastirliu tha se po i jepet një tjetër ritëm investimeve në institucionet arsimore të qarkut verilindor, ku bashkë me shkollën që po rindërtohet në Bicaj, janë pesë shkolla të rikonstruktuara në Kukës.

“Shkolla ‘Bajram Abdiu’ në Bicaj të Kukësit është një prej shkollave që ne po rehabilitojmë në kuadër të programit të qeverisë për investimet në shkolla së bashku me bashkinë. Për 2024 janë 1.2 miliard Lekë të parashikuara për rindërtimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin e shkollave në të gjithë vendin”, tha ministrja Manastirliu.

Më herët, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Drejtuesi politik i PS-së në Kukës Pandeli Majko dhe Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës, i cili pas rikonstruksionit të plotë, do të ofrojë me mjedise bashkëkohore mësim më cilësor për mbi 1 mijë mësues dhe nxënës.

Nga Kukësi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit foli edhe për programin e qeverisë, për rehabilitimin dhe rindërtimin e 30 shkollave të reja me buxhetin 2024 dhe hapjen e kantiereve të reja.

Drejtuesi i politik i PS-së në Kukës Pandeli Majko dhe Kryetari i Bashkisë Albert Halilaj, kanë vlerësuar investimet në arsim në qarkun Kukës. Në total janë pesë shkolla të reja të rikonstruktuara në Kukës.

Exit mobile version