Pas zbërthimit të platformave të njohura kriminale si “SkyECC” dhe “EncroChat”, autoritetet kanë në shënjestër aplikacionin e radhës, “Matrix”. Ky aplikacion i sofistikuar, i përdorur nga grupet kriminale, tashmë është në fokus të Europol-it dhe pritet të zbardhë lidhje të reja të bandave shqiptare në trafikun e drogës dhe krimeve të tjera të rënda.
Me mbi 2.3 milionë mesazhe të deshifruara në 33 gjuhë dhe një rrjet me 8,000 përdorues që paguanin deri në 1,600 euro në muaj për të mbetur anonimë, “Matrix” shërbente si një mjet komunikimi i sofistikuar për kriminelët. Rrjeti përfshinte struktura të ndërlikuara teknologjike që tejkalonin platformat e mëparshme si “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Aksionet për zbërthimin e kësaj platforme kanë çuar në disa arrestime në Francë, Spanjë dhe Holandë, ndërsa autoritetet shqiptare po hetojnë përfshirjen e bandave vendase. Në luftën kundër krimit të organizuar, ky zbulim shënon një tjetër goditje të rëndësishme për zbardhjen e aktivitetit të grupeve kriminale dhe parandalimin e porosive të koduara për trafik droge dhe vrasje të mundshme.
Ky zbërthim mund të sjellë zbardhjen e shumë ngjarjeve të rënda në Shqipëri dhe Evropë, duke hedhur dritë mbi aktivitetin e fshehtë të grupeve kriminale të lidhura ndërkombëtarisht.