Mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit paralajmërojnë për protesta. Sipas tyre hedhja e të dhënave në sistemin elektronik SMIP është një punë e papaguar dhe po rëndon buxhetet e familjeve të tyre.
“Punëdhënsi ka futur duart ne xhepat e mi. Unë SMIP-in e bëj në shtëpinë time me të ardhurat e mia. Edhe pajisja dixhitale edhe interneti paguhet nga mësuesi dhe nga ambientet e shtëpisë.”
“Kjo është një punë, por është e papaguar. Është e pashprehur në vlerë. Nuk është se atë SMIP-in e gjen gati. Metoda më efikase është që në çdo shkollë të kishte një sekretare shtesë që të merrej me sistemin e SMIP-it.”
Nga ana tjetër mësuesit, njëherazi dhe përfaqësues të Sindikatës së Arsimit, thonë se nuk kanë asnjë informacion të detajuar për rritjen e pagës që është deklaruar disa herë nga qeveria.
“Qeveria thotë 950 Euro, por nuk e përcakton bruto apo neto. Paga ime, momentalisht marr 630 mijë Lekë të vjetra.”
“660 mijë Lekë (të vjetra) jam në shkollë të mesme, me 29 vite punë. Tani të rritet roga 30 mijë Lekë të vjetra. Është një tallje për mësuesin. Çfarë janë 30 mijë Lekë me këto çmime?!”
“Na është thënë dy herë që do të kemi rritje në 1 Prill dhe tashmë na thuhet rritje në 1 Korrik. Me kë tallen?!”
“Mësuesi ‘shqip shqip’ do të dijë sa para do të marr kesh në dorë, sa para do hyjnë në familjen e tij.”
Arsimtarët paralajmërojnë se nëse ata nuk marrin përgjigje do përshkallëzojnë me protesta.
“Mundësisht brenda muajit mars të bëhet një VKM. Ne kërkojmë sa më shpejtë të jetë e mundur rritja e pagës. Nëse paga nuk do rritet mësuesit do të iniciojnë lëvizje.”
“Në respekt të procesit mësimor për të mos i lënë nxënësit pa mësim ne do të fillojmë me greva të bardha pas mësimit. Do të rimë në oborret e shkollave, një orë në çdo shkollë të Tiranës pastaj ne do të bëjmë hap pas hapi shqetësimet tona duke lënë orë mësimi në fillim pastaj duke lënë ditë mësimi dhe pastaj duke lënë javë mësimi.”
Sipas qeverisë synimi është që paga mesatare për mësuesit gjatë vitit 2024, të shkojë në 90 mijë Lekë.