Aktualitet

Mjekja e njohur paralajmëron rrezikun: Ja dëmet e përdorimit pa kriter të pilulës së emergjencës.

Kohët e fundit është rritur shumë numri i grave dhe vajzave që kërkojnë pilulën e emergjencës nëpër farmaci për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar. Mjekët gjinekologë thonë se kjo është shqetësuese për shëndetin riprodhues pasi këto gra rrezikojnë të bëjnë shtatzëni ektobike.

“Nuk mund të përdoret shpesh si metodë kontraceptive. E para, kjo pilulë ka një dosë të madhe të estrogjenit dhe progresteronit dhe si e tillë jep çrregullime të ciklit me pasoja në cilësinë e shëndetit. E dyta, ka gjasa që në 70-80% të rasteve , këto gra e vajza në të ardhmen , kur të duan të lindin një fëmijë, mund të bëjnë shtatzëni ektobike, ose shtatzëni jashtë mitre. Por dua të nënvizoj edhe një gjë shumë të rëndësishme: sa më shumë të përdoret pilula, edhe vetë ajo nuk do të japë efektin e saj”, -tha gjinekologia Lindita Myzyri.

Mjekja konstaton se përveç se përdorimit pa kriter kjo pilulë ka raste që përdoret gabim. “Pilula e emergjencës duhet të përdoret pas çdo marrëdhënie seksuale të pambrojtur, sepse mendojnë që mund të kryejnë disa marrëdhënie seksuale rresht të pambrojtura dhe pinë një pilulë emergjence në fund duke menduar se kjo i mbron. Jo, është e gabuar. Prandaj quhet e emergjencës sepse të mbron vetëm nga një marrëdhënie seksuale të pambrojtur”, -tha mjekja.

Përfaqësuesit e politikave të shëndetit riprodhues në parlament thonë se për fat keq informacioni tek të rinjtë është i dobët. “Në shohim një konfuzion për sa i përket informacionit që të rinjtë kanë. Informacioni nuk merret siç duhet por merret shpejt dhe jo në mënyrën e duhur. Prandaj duhet rritur ndërgjegjësimi që informacioni të jepet nga specialistët dhe jo në farmaci, nga njëri-tjetri apo në rrjetet sociale”, -tha përfaqësuesja e grupit parlamentar për popullsinë dhe zhvillim, Elona Gjebrea. Bluzat e bardha nuk e këshillojnë përdorimin e pilulës së emergjencës nga vajzat e reja dhe këshillat nuk duhet të merren në farmaci por tek ofruesit e shërbimeve.

Exit mobile version