Aktualitet

Mjekja: Shtohet numri i  pacientëve me sëmundjet e trurit. Statistikat: 1 në 2 persona mbi 80 vjeç vuajnë nga demenca

Demenca ose sëmundjet e trurit, janë shtuar gjithnjë e më shumë në popullatë sipas specialistëve dhe mesatarisht 1 në 2 pacientë të moshës mbi 80 vjeç shfaq këto probleme. Megjithatë demenca ndeshet tek moshat mbi 60 vjeç, por nuk mungojnë as rastet poshtë kësaj grupmoshe.

“Popullata njeh kryesisht sëmundjen e Alzheimer që është sëmundja më e shpeshtë e grupit të demencave. Alzheimer ka lidhje me humbjen neuronale, me humbjen qelizore. Truri humbet qeliza dhe humbja e tyre bën që të zvogëlohet masa trunore, por të ulen edhe funksionet konjitive dhe ekzekutive tek pacientët. Kryesisht është sëmundje e moshës së tretë, mbi moshën 65 vjeç. Është e shpeshtë dhe mund të thuhet që çdo pesë vjeçar e rrit incidencën dhe prevalencën e sëmundjeve dhe thuhet se mbi moshën 80-85, 1 në 2 pacientë vuan nga demenca.”

Disa nga faktorët që ndikojnë tek demenca janë jetëgjatësia e popullatës, apo dhe faktorët gjenetike.

“Rritja e jetëgjatësisë është një nga faktorët që ka çuar në rritje e numrit të rasteve me demencë. Njëkohësisht në zonat urbane rritja e diagnostikimit apo e ndërgjegjësimit të popullatës. Ka shumë shkaqe metabolike që mund të çojnë në demencë siç mund të jenë problemet e tiroides apo dëmtime të trurit siç mund të jenë edhe infarktet e trurit apo hemoragjitë e trurit që mund të bëjnë demencë dhe jo domosdoshmërisht të jenë Alzhaimer.”

Specialistët nënvizojnë se ekzaminimi i sëmundjes në kohë me qëllim trajtimin, nuk e kuron plotësisht, por ndikon në përmirësimin e jetës së pacientit.

Exit mobile version