Pediatri: Po shfaqet rëndom pas pandemisë, më e theksuar në grupmoshat 3-7 vjeç
Edhe pse ditët me diell mbizotërojnë në vendin tonë, mungesa e vitaminës D është shtuar te fëmijët, dhe jo vetëm. Sipas mjekut pediatër Bektash Mandri, pas covid-it, ky shqetësim ka ardhur në rritje.
“Këto probleme i kemi hasur shpesh, madje në frekuencë jo të vogël, tek fëmijët e vegjël te moshat mbi 3 deri në 7 vjeç, pas pandemisë. Shpeshherë na vijnë fëmijët, ku prindërit e tyre ankohen për dhimbje kockash, të kyçeve. Mungesa e vitaminës D pengon thithjen e kalciumit në aparatin tretës. Gjithashtu edhe fiksimin e kalciumit në kocka. Kjo është arsyeja që na jep deficenca e vitaminës D, shkakton një varg problematikash të tjera në organizëm”.
Sipas mjekut, burimi më i mirë i vitaminës D është dielli. 30 minuta në diell është pikërisht ajo që trupi juaj ka nevojë. Por pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kërkojë dhe trajtim me suplement, dhe këtë gjë prindërit mund të bëjnë me një kontroll të analizës së gjakut.
“Nuk duhet të shpëtojnë pa u bërë një dozim të vitaminës D, sepse ne e kapim në mënyrë rastësore, kur ata vijnë sepse shpeshherë kjo kalon pa u vënë re. Dhe pasojat në organizëm mund jenë të njëpasnjëshme. E rëndësishme është që të bëhet një analizim gjaku dhe të shtohet dozimi i vitaminës D në organizëm. Nëse e ka në mungesë të mjekohet sepse është mjaft i lehtë rikuperimi i saj.”
Një tjetër mundësi për të marrë vitaminën D është edhe nëpërmjet dietës ushqimore, siç janë peshku, sidomos salmoni dhe peshku ton, bulmeti, e verdha e vezës, mëlçia e viçit, por edhe kërpudhat.