Kryeqyteti është kthyer në një kantier ndërtimi vitet e fundit. Që nga viti 2017, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit është rritur ndjeshëm, duke kulmuar në 2022, në 1.8 milionë metra katrorë, që është niveli më i lartë historik i pas viteve ’90.
Krahas kërkesës së shtuar nga të huajt dhe emigrantët, blerjes për arsye investimi, interesit nga çiftet e reja, një nga potencialet më të mëdha ishte shtesa e popullsisë çdo vit në Tiranë. Nga viti 2012 deri në 2018-n, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia e Tiranës shtohej mesatarisht me 20 mijë persona në vit.
Por, që nga viti 2019, shtesa e popullsisë në Tiranë është zvogëluar ndjeshëm, teksa dhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar tendencës së emigracionit dhe plakjes graduale të popullsisë. Në 2019-2020, kryeqyteti kishte 11 mijë banorë më shumë, shifër që u përgjysmua në vitet në vijim.
Në 2022, (sipas shifrave më të fundit të INSTAT, që raportoi popullsinë e janarit 2023) , popullsia në kryeqytet u shtua me vetëm 5.75 mijë persona, që është shtesa më e ulët historike, të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat.
INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë në vitin 2022 ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak.
Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht.
Pavarësisht ngadalësimit kryeqyteti mbetet i vetmi që po sheh rritje vjetore të popullsisë.
Sipas INSTAT, llogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,6%).
Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë në Tiranë
Pavarësisht rënies së popullsisë, ndërtimet në kryeqytet pritet të vijojnë.
Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.
Nga dhënia e lejeve të ndërtimit bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat.
Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2013, ky vrull pritet të vijojë. Në vitin 2023, nga ky zë Bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.
Në krahasim me parashikimin e 2022-it, (që ishte 4.8 miliardë lekë) nga ky zë pritet të arkëtohen rreth 16% të ardhura më shumë, ndërkohë që pritshmëria faktike e 2022-t është 6.5 miliardë lekë, një tregues se këtë vit Bashkia ka dhënë leje përtej parashikimeve.
Edhe në 2024 dhe 2025, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit.Monitor