Temperaturat e larta kanë bërë që qindra mijëra persona të dynden drejt plazheve të Durrësit. Pushues vendas, por edhe të huaj po shijojnë rrezet e diellit dhe freskinë e detit.Ka dhe nga ata turistë europianë që kanë shfrytëzuar hapësirat e tjera në qytet, duke e eksploruar atë. Shprehen të kënaqur me atë çfarë ofron Durrësi. “Ne udhëtojmë shumë dhe disa shokë na thanë që kanë qenë në Shqipëri vitin e kaluar dhe u kishte pëlqyer. Kështu që kontaktova me një agjenci turistike, më pëlqyen ato që më ofruan në këtë udhëtim dhe po e shijojmë. Ka një kontrast të dukshëm Shqipëria në atë çka ofron, ka plazhe, det, male të shumta, sidomos Alpet, për të cilat do të rekomandoja që çdokush duhet t’i vizitojë një herë në jetë. Kemi vetëm dy ditë këtu dhe një gjë që më ka surprizuar këtu është larmia e kulturës dhe traditës, ajo që është ruajtur pas viteve të komunizmit dhe çdo gjë tjetër në lidhje me fetë dhe besimet fetare që janë këtu dhe njerëzit jetojnë të gjithë normalisht”.
“Ne kemi ardhur sot në Durrës dhe po na pëlqen gjithçka. Kemi 3 orë që kemi ardhur këto dhe nuk ka asnjë problem”.
Gjeografia e turistëve që vizitojnë Durrësin është e gjerë. Vijnë pothuajse nga të gjitha vendet e Lindjes si dhe nga Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Suedia etj.
Me të njëjtin fluks në rritje qyteti bregdetar i Durrësit pritet të përballet edhe pergjatë muajit të ardhshëm, ku sipas operatorëve prenotimet vijojnë deri në Shtator.