Aktualitet

Në pragun e varfërisë / Mbi 500 mijë shqiptarë në rrezik, ekspertët: Të përfshihen në skema sociale

Nëse ke më pak se 620 lek në ditë vlerësohesh i varfër, sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, ndryshe nga viti 2021, ku kufiri i rrezikut të varfërisë ishte gati 100 lek më pak.

Përllogaritjet e INSTAT bazuar te anketa e të ardhurave dhe nivelit të jetesës zbulojnë se treguesi i rrezikut të varfërisë është 20.6% në 2022, me një rënie prej 1.4% nga viti në vit. Por edhe pse vihet re një përmirësim në shifra, sërish Shqipëria nuk ua kalon të dhënave të vendeve të Ballkanit si dhe ka një diferencë të dukshme nga mesatarja e Bashkimit Europian, e cila është 16.5%.

“Hendeku që ekziston mes kostove të jetesës dhe nivelit të pagave mesatare në Shqipëri na radhit si një nga vendet me risk për të qënë të varfër”, tha Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.

Më shumë se 576 mijë shqiptarë janë në rrezik për të qenë të varfër dhe në bazë të grupmoshave, më të prekurit nga varfëria janë pensionistët.

“Siç e dimë niveli i pensioneve është tepër i ulët krahasuar me BE apo rajonin. Kemi kosto jetese të lartë krahasimisht me vendet e Ballkanit, ku radhitemi të dytët pas Serbisë gjë që tregon që pikërisht pensionistët mund të jetojnë në varfëri relative, por le të themi që shpëtimi i tyre kanë qënë ndër vite remitancat, pra dërgesat e emigrantëve”, tha Radonshiqi.

Por çfarë zgjidhje propozojnë ekspertët e ekonomisë për të rritur mirëqënien sociale?

“Duke përfshirë më shumë individë në skemën e ndihmave sociale, ndoshta ky risk do të ulej”, tha Radonshiqi për Top Channel.

Exit mobile version