Aktualitet

Në universitetin Bujqësor nuk rrezikohet asnjë degë. Rektori Sallaku: Deri tani kemi 80 studentë më shumë se vjet, ndërkohë që regjistrimet vijojnë deri në mes të Tetorit

Universiteti bujqësor i Tiranës është një ndër universitet që ka njohur rritje të regjistrimeve pavarësisht se numri i maturantëve ka ardhur në ulje. Sipas rektorit Fatbardh Sallaku asnjë degë e këtij universiteti nuk rrezikon të mos hapet, siç ndodhi vitin e shkuar.

“Janë regjistruar rreth 800 maturantë që do të thotë janë 800 studentë të ardhshëm në universitetin Bujqësor. Rreth 80 studentë më shumë të regjistruar në raundin e parë krahasuar me vitin e shkuar. Disa programe që ne i kemi konsideruar të rrezikuara siç është Zooteknia, Peshkimi, Inxhinieria e Pyjeve, Inxhinieria e Përpunimit të Drurit janë programe të cilat të dhënat janë premtuese të cilat do të aktivizohen për vitin akademik të ardhshëm. Ne presim që në fund të raundit të dytë dhe të tretë të kemi afërsisht rreth 1200-1300 studentë të regjistruar në universitetin Bujqësor që do të thotë se nëse universitetit i ruan këto shifra them që është në rrugë të mbarë sepse këto profesione  e kam theksuar edhe herë tjetër nuk janë profesione që i duhen universitetit Bujqësor, por i duhen ekonomisë shqiptare.”

Rritja e lehtë e numrit të studentëve të regjistruar sipas rektorit, vjen prej disa faktorëve, por ndër më kryesoret është mbështetja me bursë nga ana e qeverisë e atyre që ndjekin degët e shpallura me interes kombëtarë.

“Është universiteti i vetëm në vend që ka kampus, i cili aktualisht ka mbi 60% të stafit akademik të doktoruar jashtë dhe universiteti i vetëm i cili ofron kapacitete akomodimi. Ne sot kemi konvikte që janë nga më cilësorët jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Maturantët duhet ta dinë se nëse regjistrohen në këto programe në universitetin Bujqësor marrin dy diploma. Nuk kanë nevojë të shkojnë të studiojnë në Itali, por vijnë në universitetin Bujqësor dhe marrin një diplomë shqiptare dhe një diplomë italiane.”

Regjistrimet në universitet për raundin e dytë do të vijojnë deri më 1 Tetor. Ndërkohë që pas nisjes së vitit akademik më 2 Tetor, ata të rinj që ende nuk janë regjistruar në një program studimi kanë mundësi që regjistrohen në fazën e lirë.

Exit mobile version