Ka nisur puna për ndërtimin e spitalit të ri të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare. Videon e Ministrisë së Shëndetësisë e ka shpërndarë dhe kryeministri Edi Rama në Facebook-un e tij.
Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e ka konsideruar këtë, një investim madhor për kardiokirurgjinë shqiptare, një spital që do të jetë shembull në të gjithë rajonin.
“Ky nuk është thjeshtë një rehabilitim, është rindërtim, me funksione të reja, është tërësisht një arkitekturë e re nga pikëpamja e funksionalitetit dhe shërbimimeve që do të ofrohen. Spitali i ri i Kardiokirurgjisë do të jetë një shembull në të gjithë rajonin. Janë rreth 4000 metër katrorë në dispozicion. Po shkojmë drejt finalizimit të modernizimit të QSUT-së sa i përket infrastrukturës dhe ecim përpara tani me inovacionin dhe inteligjencën artificiale”,- deklaroi Manastirliu.
Sipas ministres, ky spital do të jetë gati brenda 2024-ës.
“Do të jemi drejt fundit të vitit 2024 me një spital të kompletuar dhe jam e bindur se kjo do ridimensionojë punën për më shumë shërbime ndaj qytetarëve dhe cilësia të jetë e një standardi të lartë”, tha ajo.
Ky investim vjen në kuadër të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku do të përfshihen edhe investime te Blloku operator me 3 salla për kardiokirurgjinë dhe 1 sallë dedikuar kirugjisë vazale; Shërbimin e terapisë intensive, që do të jetë i integruar në shërbimin e kardio-kirurgjisë si dhe janë parashikuarpajisje të reja mjekësore për këtë spital.