Aktualitet

Një në pesë shqiptarë i moshuar! Presioni mbi skemën e pensioneve, në nivelin më të lartë ndonjëherë

Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Nga rreth 2.4 milionë qytetarë në total, më shumë se 473 mijë janë mbi 65 vjeç. Kjo ka bërë që raporti i varësisë së të moshuarve që llogarit numrin e personave mbi 65 vjeç me ata në moshë pune të rritet në 30.4 për qind nga 16.7 për qind në vitin 2011. Thënë ndryshe, presioni mbi skemën e pensioneve sot është në nivelin më të lartë ndonjëherë.

“Ka një raport të shtuar mes numrit të popullsisë rezidente dhe përfituesve të skemës së sigurimeve shoqërore e përkthyer në pensione pleqërie, invaliditeti dhe pensione familjare”, tha Kujtim Hoxha, eksperti i sistemit të pensioneve.

Presion i vjetër, por me forcë të re edhe më të madhe mbi pensionet bëhet edhe më i dukshëm nga ndryshimi i moshës mesatare në pak më shumë se një dekadë. Nga 35.2 vite në 2011-n, mosha mesatare e popullsisë në vendi ka arritur në 42.5 vite.

“Pensionet vijnë si rezultat i grumbullimit të të ardhurave, Dhe duke pasur një numër të kufizuar kontribuuesit edhe përfituesit do të jenë të kufizuar. Kjo në rast se skema nuk mbështet nga buxheti i shtetit”, shtoi Hoxha.

Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese ka sjellë ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Ministria e Financave ka përllogaritur që shpenzimet totale të Sigurimeve Shoqërore për këtë do të jenë në nivelin e 169.8 miliardë lekëve nga 159.9 miliardë vitin e shkuar.

“Duhen politika ekonomike e cila duhet të investohet jo vetëm në mbajtjen gjallë të infrastrukturës së qyteteve por më së shumti në investimin tek familjet e reja për ato çfarë kanë kërkesa të rinjtë, dhe të ketë një dinamikë të re tregu i punës”, tha ai.

Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë që sot kërcënon më shumës e kurrë skemën e pensioneve. 

Exit mobile version