Shendetesi

“Obeziteti, epidemia e heshtur”/ OBSH ngre alarmin: 1 në 4 burra është obez, është rritur numri dhe te fëmijët mbi 5 vjeç

Obeziteti po shndërrohet në epidemi të heshtur dhe për këtë OBSH ka ngritur alarmin pasi edhe Shqipëria po shkon me shifra në rritje.

Gati 25 % e meshkujve 20 vjeç e lart në vendin tonë janë obezë dhe pothuajse në këto shifra janë dhe femrat. Alarmante paraqitet situata tek fëmijët e vegjël pasi 14 % e moshës 5 vjeç e lart janë obezë dhe shifrat e obezitetit pritet të rriten çdo vit me 2.6 %

Me këtë rritje të shifrave të obezitetit Organizata botërore e shëndetësisë parashikon që deri në vitin 2035 ,afro 37 % e shqiptarëve të jenë obezë.

Gjithçka nis me ushqimin e fëmijëve që në vogëli ,ku fatkeqësisht fëmijët tanë i gjen me patetina në duar apo ushqime të konservuara dhe pije të gazuara. E përpos kësaj fëmijët sot, pjesa më e madhe po rriten pa aktivitet fizik ,por duke qëndruar ulur me orë të tëra  me telefon në dorë apo Ipad.

Ekspertët e shëndetit u kërkojnë prindërve  që të kujdesen për ushqimin që në shtatzëni duke shmangur ushqimet e dëmshme e më pas t’i orientojnë fëmijët  e tyre të vegjël vetëm drejt ushqimeve të shëndetshme.

Por nga ana tjetër duhet promovuar aktiviteti fizik tek fëmijët duke u ndaluar përdorimin e pajisjeve elektronike  deri në një moshë të caktuar.

Në vitin 2035 parashikohet  që 40% e meshkujve 20-vjeçarë të jenë obezë dhe 33 % e vajzave po ashtu .Ky trend i rritje së shifrave të obezitetit duket për të gjithë vendet e Europës, ku sipas statistikave më të fundit 60% e të rriturve  dhe 30% e fëmijëve janë obezë thuhet në raportin e OBSH. Mbipesha është një rrezik kërcënues për shëndetin e njeriut.

Ajo është faktor i rëndësishëm për shumë sëmundje. Obeziteti lidhet me diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe probleme të tjera kardiake.

ndaj OBSH bën thirrje qeverive  të ndërhyjnë për të frenuar obezitetin tek moshat e vogla  pasi në rininë e tyre shifrat e sëmundjeve parashikohen shumë të larta.

Exit mobile version